Një hetim disamujor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) ka kulmuar me arrestimin e katër personave të dyshuar për trafikim dhe shitje të narkotikëve në rajonin e Gjakovës, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se në prangat e Policisë kanë përfunduar Milot Krasniqi, Vallter Krasniqi, Zenun Zenuni dhe Muhamed Kryeziu, të cilët dyshohen se ishin të përfshirë në veprimtari të organizuar të shitjes dhe shpërndarjes së substancave narkotike.
Sipas dosjes hetimore, hetimet kanë nisur më 12 shkurt 2026 ndaj Milot Krasniqit dhe më pas janë zgjeruar edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë në rast.
Gjatë zhvillimit të masave të veçanta hetimore, Policia ka realizuar dy blerje të simuluara të narkotikëve, ku nga të dyshuarit janë siguruar sasi të kokainës kundrejt pagesës së kontrolluar nga fondi i fshehtë i Policisë së Kosovës.
Aksioni final është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit të 5 qershorit, kur hetuesit e DHTN-së, të mbështetur nga njësitë speciale dhe hetues rajonalë, kanë bastisur disa lokacione në Gjakovë me urdhër të Gjykatës Themelore.
Gjatë bastisjeve në pronat e Milot dhe Vallter Krasniqit, policia gjeti dhe sekuestroi:
Rreth 294 gram kokainë, rreth 124 gram heroinë, rreth 13 gram marihuanë, rreth 116 gram substancë të dyshuar narkotike të paidentifikuar, një revole Zastava me dy fishekë, një pushkë ajrore pa numër serik, 90 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 6,536 euro para të gatshme, 474 dollarë amerikanë, 60 franga zvicerane, pesë telefona mobilë.
Të dyshuarit Milot Krasniqi, Vallter Krasniqi, Zenun Zenuni dhe Muhamed Kryeziu janë arrestuar dhe janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së në Gjakovë.
Me vendim të Prokurorit të rastit nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ndaj të katërve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë aktivitet.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!