Katër persona janë ndaluar për 48 orë në Gjakovë nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me narkotikët, pas një aksioni të realizuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë në bashkëpunim me organet e rendit, raporton Sinjali.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë personat me inicialet M.K., V.K., Z.Z. dhe M.K., të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Prokuroria ka bërë të ditur se paraprakisht ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj të dyshuarve, përfshirë edhe zbatimin e masave të veçanta hetimore.
Me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 5 qershor 2026 janë realizuar bastisje në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të disa personave të dyshuar në qytetin e Gjakovës.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:
Substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë në peshë rreth 293.96 gram;
Substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë në peshë rreth 124 gram;
Substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë rreth 13 gram;
Substancë e dyshuar narkotike (lloji i panjohur) në peshë rreth 116 gram;
Një armë zjarri e shkurtër me dy fishekë;
Një pushkë ajrore pa numër serik;
90 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
Para të gatshme në vlerë prej 6,536.76 euro, 474 dollarë amerikanë dhe 60 franga zvicerane;
Pesë telefona mobil të llojeve të ndryshme.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve M.K., V.K., Z.Z. dhe M.K. në gjykatën kompetente.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë është e përkushtuar në luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët, mbrojtjen e shëndetit publik dhe sjelljen para drejtësisë të personave të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!