Një fotografi e gjetur në telefonin e një nxënësi ka alarmuar drejtuesit e një shkolle në Gjakovë dhe ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se rasti është zbuluar në shkollën “Mustafa Bakija”, pasi gjatë kontrollit të disa telefonave të nxënësve, njëri prej tyre kishte shfaqur shenja shqetësimi.
I pyetur nga drejtoresha e shkollës, nxënësi kishte prezantuar me vullnet të plotë një fotografi të ruajtur në aplikacionin “Hide”, ku ai shfaqej duke mbajtur në dorë një armë zjarri.
Pas njoftimit të Policisë, është intervistuar babai i të miturit, M.K., i cili, në prani të avokatit, ka deklaruar se më 1 mars 2026, gjatë pastrimit të armës, ia kishte dhënë djalit të tij për të bërë fotografi, pasi paraprakisht kishte hequr karikatorin dhe e kishte siguruar armën.
Sipas deklarimit të tij, ai nuk kishte qenë në dijeni se një veprim i tillë përbënte shkelje ligjore.
I dyshuari ka dorëzuar armën me vullnet të plotë, ndërsa ajo është sekuestruar nga Policia si provë materiale.
Në konsultim me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!