image Sqarimi i KEDS-it për 49-vjeçarin që u godit nga rryma në Prishtinë

Siguri

Sqarimi i KEDS-it për 49-vjeçarin që u godit nga rryma në Prishtinë

news image

Një 49-vjeçar është goditur nga rryma sot në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës. Ai kishte rënë në kontakt me energjinë elektrike të tensionit të mesëm, pasi që sipas KEDS-it, dikush ka gërmuar dhe zbuluar kabllot e tensionit të mesëm, pa lejen e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

“Fatkeqësisht, një person i papërgjegjshëm kishte filluar gërmimet, duke i zbuluar kabllot e Tensionit të Mesëm 10 kV (kilovolt) pa u konsultuar me KEDS dhe pa leje paraprake nga kompania që të punojë aty ku janë të vendosura asetet elektroenergjetike. Për rrjedhojë, ka ardhë deri te kontakti me energji elektrike nga një person, fatmirësisht pa pasoja”, thuhet në sqarimin e KEDS-it.

Tutje, kompania për distribuimin e energjisë elektrike në Kosovë ka vlerësuar se veprime të tilla janë të papranueshme, pasi që, sipas tyre, jo vetëm që janë të rrezikshme, por edhe dëmtojnë asetet elektroenergjetike dhe rrezikojnë furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.

KEDS ka ftuar organet e rendit të ndërhyjnë në këtë rast dhe ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të mos lejojë ndërtime të tilla.

“Secila kompani ose individ që dëshiron të punojë aty ku kalojnë kabllot e energjisë elektrike, duhet të ketë leje nga KEDS, të marrë hartën e rrjetit dhe zgjidhjen eventuale teknike nëse është e nevojshme”, thuhet në reagim./Gazeta Sinjali/

Foto: Vendi ku është punuar, zbulimi i kabllove 10 kV