image Sot hapet pishina e Gërmisë

Sociale

Sot hapet pishina e Gërmisë

news image

Sot në orën 10:00 do të hapet Pishina e Gërmisë. Nga ndërmarrja që e menaxhon, kanë deklaruar se janë bërë të gjitha përgatitjet për hapjen e pishinës sipas rregullave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës

Drejtori në Ndërmarrjen Sport – Marketing që menaxhon me Pishinën e Gërmisë, Liridon Llapashtica ka thënë se është pritur tash e një javë që kjo pishinë të hapet, pasi që datat tradicionale kanë qenë 12, 15 dhe 17 qershor kur edhe qytetarët e kanë mbajtur mend që Pishina e Gërmisë ka startuar me sezonin veror.

Llapashtica thotë se janë bërë gati për hapjen e kësaj pishine tash e një muaj dhe i kanë ndjekur të gjitha procedurat që pishina ti ketë të gjitha kushtet për vizitorët.

E kemi rekrutuar stafin prej 10 shpëtimtarëve në kuadër të një memorandumi që kemi me Fakultetin e Edukatës Fizike të cilët të gjithë janë të licencuar si shpëtimtarë, pastaj kemi ekipin për mirëmbajtje ku janë tetë persona dhe e kemi edhe autoambulancën edhe doktoreshën e cila do të jetë në dispozicion tërë ditën prej kur pishina është e hapur”, ka deklaruar ai për KlanKosova.

Tutje, ai thotë se nuk kanë marrë asnjë manual nga Ministria e Shëndetësisë këtë vit, por që do ta ndjekin atë të vitit të kaluar që ka të bëjë me sjelljen në pishina gjatë kohës së pandemisë.

Në momentin e lirimit të masave, është thënë që më datë 15 qershor do të jetë edhe manuali publik që do t’u dërgohet të gjitha institucioneve që merren si në aspektin sportiv dhe atë rekreativ. Por tash kur kanë kaluar tri ditë nga data 15 qershor neve nuk na është dërguar asnjë manual. Ne po bazohemi në manualin e vitit të kaluar që ka qenë nga IKSHPK por edhe ne si ndërmarrje e kemi marrë një manual nga OBSH ku mandej jemi bazuar në atë se si duhet të sillemi në kohë pandemie”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/