Gazeta Sinjali sot ka raportuar se një punëtor i Postës së Kosovës në Gjilan është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”
Sinjalizuesit e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari B.M., (1979), zyrtar i sportelit të postës në Gjilan, është denoncuar në Polici nga menaxheri regjional i kësaj poste, me dyshimin se i njëjti ka arritur të përvetësojë mjete financiare të 16 personave në vlerë prej 1700 euro, të cilët kanë qenë përfitues të ndihmave sociale mujore.
Të njëjtit sinjalizues njoftojnë se në Polici janë intervistuar tre dëshmitarë, të cilët kanë deklaruar se mjetet financiare për muajin tetor nuk kishin arritur t’i tërhiqnin, pasi që të njëjtat dyshohet se janë përvetësuar nga i dyshuari B.M.
Me urdhër të prokurorit, Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Sipas nenit 418 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personi zyrtar, i cili me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tij, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.