image Sirenat për armëmbajtje pa leje që nuk i dëgjon Policia e Kosovës

Kosovë

Dështimi/ Sirenat për armëmbajtje pa leje që nuk i dëgjon Policia e Kosovës

news image

Policia e Kosovës ka qenë dëshmitare okulare e të shtënave me rafale të kallashëve dhe armëve të tjera në një aheng të organizuar muaj më parë në bjeshkët e Deçanit.

Breshëritë e plumbave mbi kokat e tyre nuk i kishin bërë përshtypje pjestarëve të Policisë për të ndërmarr ndonjë veprim ndaj armëmbajtësve pa leje.

Në kundërshtim me detyrën zyrtare, ata kishin heshtur ndaj kësaj ngjarjeje ku kishte marrë pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe i vëllai i tij, deputeti Daut Haradinaj, duke u bërë spektatorë pasiv të një katrahure të shtënash sikur në filmat western, shkruan Gazeta Sinjali.   

Ironia më e madhe e gjithë kësaj është se duke mbyllur sytë ndaj armëve dhe armëmbajtësve që dukeshin sheshazi, Policia e Kosovës ka lansuar një fushatë vetëdijësuese për legalizimin e armëve pa leje që gjenden në duart e qytetarëve.

Ky institucion madje paralajmëron qytetarët që nëse nuk e legalizojnë armën deri më 17 shtator, mund të dënohen deri në 7500 euro gjobë ose deri në 10 vjet burg.

“Këto sirena janë për ty”, paralajmërohet në këtë spot drejtuar armëmbajtësve pa leje.

Por, më shumë se ndaj tyre, sirenat për armëmbajtje pa leje, tash e sa kohë, kanë rënë për vetë Policinë e Kosovës, por ato nuk janë dëgjuar qëllimshëm, sidomos në rastet kur pjesë e ahengjeve me të shtëna armësh, kanë qenë autoritetet e larta politike shtetërore.

Policia fton qytetarët që të aplikojnë për legalizimin e armëve në stacionin më të afërt policor. Sipas njoftimit, armët do të dërgohen në kontroll teknik nga kompania e licensuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa armëmbajtësi i nënshtrohet trajnimit për përdorimin e armëve në mënyrë të sigurtë.

Videospoti është zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombëve të Bashkuara në Kosovë përmes ndihmës financiare nga Fondi i Mirëbesimit i Kombeve të Bashkuara për mbështetjen e Bashkëpunimit rreth Sistemimit të Armëve.

Së fundi, në Kosovë është shtuar numri i vrasjeve dhe tentimvrasjeve si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit, të cilat gjenden pa leje në duart e qytetarëve./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/KosovoPolice/videos/1151039198438911/