EKSKLUZIVE/ Me ‘kallash’ dhe sharkia, ja sesi në Deçan festoi Qeveria

news image

E gjithë festa e shoqëruar me të shtëna rafale armësh, kishte ndodhur në sy të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, por për “habi” deri më tash, askush nuk është shoqëruar në Polici, raporton Sinjali.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka festuar me armë një ngjarje në komunën e Deçanit.

Sipas sinjalizuesve, kreu i Qeverisë i “mbytur” nën tingujt e këngëve patriotike, kishte shtënë me armë zjarri teksa ishte shoqëruar nga persona të tjerë me rafale armësh.

Ndonëse nuk e kishte pasur armën në brez,  Haradinaj revolen ua kishte marrë personave që po e shoqëronin në këtë aheng.

Përveç kryeministrit Ramush Haradinaj, sinjalizuesit kanë deklaruar për Sinjalin se edhe vëllai i tij, Daut Haradinaj ka shtënë disa herë.

Ngjarja ka ndodhur më 16 qershor të këtij viti, në Bjeshkën e Bellës në Deçan me rastin e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të Komunës së Pejës dhe Deçanit.

Sinjalizuesit raportojnë se aty janë shkrepur mijëra fishekë. Pjesa dërrmuese e armëve kanë qenë ilegale, por nuk kanë munguar as të shtënat me armë zyrtare. Nga pamjet shihet se një person gjuan me armën e tipit“AK47”.

E gjithë festa e shoqëruar me të shtëna rafale armësh, kishte ndodhur në sy të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, por për “habi” deri më tash, askush nuk është shoqëruar në Polici, raporton Sinjali.

Më herët, kreu i Qeverisë kishte deklaruar se qitja me armë është traditë shqiptare duke u thirrur në kanun. Ai madje kishte thënë se kjo dukuri  nuk është “kiamet”.

 “Më ka ndodhë në Dukagjin ‘kanunqe’… ta sjell i zoti i shtëpisë armën që të gjuash, dhe gjuan. Mund ta bëjmë dhe me ligj ndoshta që në raste gëzimi të përdorim armën…. Më ka ndodhur në një aheng kur i zoti i shtëpisë më ka thënë se ma ke nderuar truallin e konakun dhe ma ka dhënë armën dhe kam gjuajtur… Më ka thënë se këtë armë e kam të bekuar që e preku dora juaj… Për mua nuk është kiamet kjo punë….”, kishte thënë kreu i qeverisë në dorëheqje, Ramush Haradinaj duke iu referuar gjuajtjeve me armë të qeveritarëve nëpër ahengje.

Së fundi, Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet e shkallës së parë për zëvendëskryeministrin në largim, Dardan Gashi, ministrin në largim të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerëve, që akuzoheshin për gjuajtjet me armë në odën e zëvendëskryeministrit në largim Fatmir Limaj në Malishevë.

Sami Lushtaku e Dardan Gashi janë dënuar me 1.700 euro gjobë ndërsa Endrit Shala është dënuar me 2400 euro gjobë. Me nga 1.700 euro gjobë janë dënuar edhe tre të akuzuarit e tjerë, Behar Amerllahu, Fadil Demiri si dhe Sherif Krasniqi.

Aktakuza kundër Lushtakut, Gashit, Shalës dhe të tjerëve ishte ngritur pas një videoje të publikuar në medie, në fund të vitit 2017./Sinjali/


Shpërndaje artikullin