Të premten në vendin tonë do të mbizotërojë moti i ndryshueshëm, me diell dhe vranësira, e me reshje shiu deri në orët e vona të natës, kurse në viset kodrinore-malore reshjet e shiut do të shoqërohen edhe me fjolla bore, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Sipas parashikimeve, reshje shiu me intensitet të dobët do të ketë edhe në orët e para të së shtunës.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 8-9 gradë Celsius, bën të ditur IHMK.
IHMK-ja paralajmëron se do të fryjë erë nga jugperëndimi dhe veriperëndimi, herë-herë me vrull, shpejtësia e së cilës parashihet të arrijë deri 18m/s në Dukagjin, ndërsa në rrafshin e Kosovës shpejtësia maksimale parashihet të arrijë deri 14m/s.
“Kjo situatë meteorologjike do të ndikojë pozitivisht që kushtet biometeorologjike të jenë relativisht të mira. Java tjetër, konkretisht dita e pavarësisë parashihet të jetë me temperatura të larta, mbi mesataren e muajit që jemi. Ato do të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius”, thuhet në njoftimin e këtij instituti./Gazeta Sinjali/