image Gjendja e rënduar në disa vende të Shqipërisë pas reshjeve të borës, ARRSH: Qarkullimi vijon pa problem

Shqipëri

Gjendja e rënduar në disa vende të Shqipërisë pas reshjeve të borës, ARRSH: Qarkullimi vijon pa problem

news image

Bashkia e Fushë Arrëzit dje shpalli gjendje të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura të borës. Pas këtyre reshjeve dhe gjendjes së vështirësuar në disa zona, reagoi edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se ARRSH ka mobilizuar të gjitha grupet e punës për të siguruar mbajtjen hapur të akseve rrugore dhe garantuar siguri në lëvizje.

Sot, Autoriteti Rrugor Shqiptar tha se borëpastrueset dolën në terren në të gjitha akset ku pati stuhi dëbore dhe prezencë të akullit.

Sipas ARRSH, gjatë natës intensiteti i reshjeve të borës u rrit në Juglindje, ndërsa në veri pësoi rënie.

“Gjatë natës ka rënë intensiteti i reshjeve të dëborës në zonën Veriore dhe është rritur në zonën Juglindore si në Qafë Thanë-Korçë, ku në pjesën Qafë Thanë-Doganë ka pasur erë të fortë, Zëmblak-Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë-Dogana Kapshticë, në Dardhë dhe në Voskopojë. Temperaturat kanë qenë në ulje duke shënuar deri në -11 °C në zonat malore. Grupet e punës me mjetet borëpastruese në terren kanë bërë pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat. Qarkullimi vijon pa probleme”.

Autoriteti Rrugor Shqiptar apelon që drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

/GazetaSinjali/