image Shqetësuese: Nxënësit kapen me armë të ftohta në shkolla, Policia intervenon në Prishtinë dhe Podujevë

Siguri

Shqetësuese: Nxënësit kapen me armë të ftohta në shkolla, Policia intervenon në Prishtinë dhe Podujevë

news image

Mbajtja e armëve nga të rinjtë tashmë është bërë dukuri që po shqetëson shoqërinë, mirëpo kjo dukuri duket se i ka prekur edhe të miturit, të cilët shpesh kapen me armë edhe në institucionet arsimore, shkruan Gazeta Sinjali.

Dy raste të kësaj dukurie shqetësuese dhe alarmante janë zbuluar së fundi në dy shkolla fillore në Prishtinë dhe Podujevë.

Sinjali mëson se drejtori i shkollës në Prishtinë gjatë kontrollit ka hasur te një nxënës i cili mbante me vete një thikë. Ai ka njoftuar Policinë lidhur me rastin, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar në stacion nxënësin.

I mituri është intervistuar në praninë e prindit të tij dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’.

Njëjtë ndodhi edhe në Podujevë, ku në një shkollë fillore një nxënës është kapur në flagrancë me thikë në xhep. I mituri është shoqëruar në Polici, ndërsa thika është konfiskuar.

Me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

/GazetaSinjali/