image Shoqata e bankave reagon pas sulmit me eksploziv në bankën “Raiffeisen Bank”, kërkon hetim të menjëhershëm

Kosovë

Shoqata e bankave reagon pas sulmit me eksploziv në bankën “Raiffeisen Bank”, kërkon hetim të menjëhershëm

news image

Mëngjesin e sotëm, tre persona të panjohur kanë sulmuar me eksploziv filialin e bankës “Raiffeisen” në Ferizaj, raporton Gazeta Sinjali.

Ndaj këtij sulmi ka reaguar Shoqata e Bankave të Kosovës, e cila e ka dënuar sulmin dhe ka kërkuar hetime të menjëherëshme.

“Shoqata e Bankave të Kosovës dënon rëndë sulmin kriminal të grupeve të armatosura me lëndë eksplozive të shkaktuar në mëngjesin e sotëm të datës 17.10.2020 ndaj njërës nga bankat komerciale në qytetin e Ferizajit”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Sipas SHBK-së, këto sulme kanë për qëllim fuqizimin e grupeve kriminale në Kosovë dhe rrënimin e rendit dhe ligjit në vend, duke kërkuar që të gjejnë një hapësirë në Kosovë për të shtrirë veprimtarinë e tyre kriminale.

Andaj, në reagimin e kësaj shoqate thuhet se kjo nuk duhet lejuar me asnjë kusht nga institucionet e sigurisë së vendit dhe duhet të përdoren të gjithë mekanizmat shtetërorë të sigurisë për të ju pamundësuar një gjë të tillë këtyre grupeve. 

Sipas Shoqatës së Bankës, përveç dëmeve të shkaktuara ndaj bankës në fjalë, ky sulm shqetësoi dhe rrezikoi edhe banorët e rrugës “Vëllezërit Gërvalla”. 

Shoqata e Bankave të Kosovës me këtë rast u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të rendit dhe sigurisë që të ndërmarrin të gjitha masat, në mënyrë që, sipas tyre, këto grupe të identifikohen sa më shpejtë dhe të sillen para organeve përkatëse të drejtësisë./Gazeta Sinjali/