image Ekskluzive | Hajnat godasin brenda 50 minutash në Ferizaj – zhdukin 23 mijë euro, ari dhe një armë, marrin edhe pamjet e kamerave

Sinjalizime

Ekskluzive | Hajnat godasin brenda 50 minutash në Ferizaj – zhdukin 23 mijë euro, ari dhe një armë, marrin edhe pamjet e kamerave

news image

Një vjedhje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Komogllavë të Ferizajt, ku hajnat kanë depërtuar në një shtëpi familjare dhe kanë arritur të marrin para, stoli ari dhe një armë zjarri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur ndërmjet orës 21:00 dhe 21:50, në kohën kur pronari i shtëpisë, R. U, nuk ndodhej në banesë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, sapo është kthyer në shtëpi, R.U ka vërejtur se dritarja e banesës ishte thyer dhe persona të panjohur kishin depërtuar brenda përmes një dritareje anësore.

Ai ka raportuar se nga shtëpia janë vjedhur 15 mijë euro para të gatshme, stoli ari me vlerë rreth 8 mijë euro, si dhe një armë zjarri e kalibrit 9 milimetra, për të cilën posedonte leje të rregullt.

Burimet bëjnë të ditur se autorët nuk janë mjaftuar vetëm me paratë, arin dhe armën. Ata kanë marrë edhe DVR-in e sistemit të kamerave të sigurisë, duke tentuar të zhdukin çdo gjurmë që mund të ndihmonte në identifikimin e tyre.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Hetimeve Rajonale dhe Forenzika, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë mbledhur prova materiale.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve janë në zhvillim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/