Një 20-vjeçare nga Ferizaj po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës duke konsumuar një sasi të madhe medikamentesh, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për S. H. rreth 20 vjeç, e cila fillimisht është dërguar në Emergjencën e Ferizajt, ndërsa për shkak të gjendjes së rënduar është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK.
Sipas informatave që posedon Sinjali, Policia është njoftuar nga stafi mjekësor rreth orës 16:50, pasi e reja kishte mbërritur në gjendje të rënduar si pasojë e konsumimit të një sasie të tepruar të barnave.
Nëna e saj, M. G, ka deklaruar para hetuesve se vajza, pak çaste pasi kishte përfunduar një bisedë telefonike me një person ende të panjohur, kishte marrë një sasi të madhe medikamentesh. Sipas saj, ngjarja kishte ndodhur rreth dy orë para se familjarët ta dërgonin për ndihmë mjekësore.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se motivi që e shtyu 20-vjeçaren drejt këtij veprimi ende nuk dihet, ndërsa rasti po hetohet nga njësitë përkatëse të Policisë.
Për rastin janë njoftuar Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor dhe Hetimet Rajonale, të cilat po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!