Një zhvillim i ri ka dalë nga hetimet për zjarrin e madh që përfshiu punëtorinë “Eco Motors” në Ferizaj, ku dëmet e shkaktuara llogariten në mbi 100 mijë euro, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pas ekzaminimeve të kryera nga Sektori Rajonal i Hetimeve dhe krimteknikët, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia e një personi ende të paidentifikuar.
Ngjarja kishte ndodhur më 31 maj, rreth orës 23:10, në rrugën “Astrit Bytyqi”, ku flakët kishin përfshirë punëtorinë “Eco Motors”, në pronësi të Kastriot Lekës.
Gjatë hetimeve dhe analizimit të kamerave të sigurisë, hetuesit kanë konstatuar se në momentet para shpërthimit të zjarrit, një person nga dritarja e një shtëpie pranë biznesit dyshohet se ka hedhur një cigare, e cila sipas dyshimeve fillestare ka shkaktuar ndezjen e materialeve dhe përhapjen e flakëve.
Sinjali mëson se përveç dëmeve të mëdha në punëtorinë e automjeteve, zjarri ka prekur edhe tri shtëpi në afërsi, në pronësi të familjarëve M. S. dhe A. L..
Sipas pronarit të biznesit, dëmi në punëtori vlerësohet rreth 50 mijë euro, ndërsa dëmet në objektet banesore sipas pronarëve arrijnë në rreth 60 mijë euro të tjera.
Për shkak të rrethanave të zbuluara gjatë hetimeve, Prokurori kujdestar ka urdhëruar që rasti të mos trajtohet më si “Incident zjarri”, por të hetohet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Hetuesit po vazhdojnë punën për identifikimin e personit që dyshohet se hodhi cigaren dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në zjarrin me pasoja të mëdha materiale. Rasti mbetet nën hetim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!