image Shitën djathin në vlerë të 800 eurove që e vodhën në një fshat të Pejës, në pranga të Policisë dy të rinj

Siguri

Shitën djathin në vlerë të 800 eurove që e vodhën në një fshat të Pejës, në pranga të Policisë dy të rinj

news image

Kohëve të fundit është rritur numri i vjedhjeve në Kosovë, të cilat kapin vlera të mëdha parash. Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur më 18 maj, në fshatin Treboviq të Pejës, ku dy persona dyshohet se kanë vjedhur tri ‘kaca’ plot me djathë e më pas i kanë shitur, shkruan Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se të mërkurën, në shtëpinë e një familje (emër i njohur për redaksinë), dy persona kanë vjedhur tri ‘kaca’ me djathë, pa u vërejtur nga askush.

Por, në momentin që familjarët e kanë kuptuar se iu mungon djathi, kanë kërkuar ndihmë në organet e rendit që të zbardhet rasti.

Me të marrë informacionet, Policia është vënë në lëvizje dhe ka identifikuar të dyshuarit që vodhën djath në vlerë prej 800 eurosh. Sipas burimeve të Sinjalit, të dyshuarit janë E.M 30 vjeç dhe E.R 27 vjeç.

Pas arrestimit, të dyshuarit janë dërguar në stacion policor në Pejë, ku edhe janë intervistuar.

Në dëshminë dhënë për zyrtarët policorë, njëri nga të dyshuarit ka deklaruar se ka qenë në njohuri që i dyshuari tjetër e ka vjedhur djathin dhe të njëjtin e ka shitur në një dyqan në Pejë.

Siç mëson Sinjali, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor prej 48 orësh dhe ndaj tyre është iniciuar rasti “Vjedhje”.

/GazetaSinjali/