image “Sheikh Zayed”, lirohet shpejt nga pacientët me COVID-19?

Shëndetësi

“Sheikh Zayed”, lirohet shpejt nga pacientët me COVID-19?

news image

Spitali i Vushtrrisë “Sheikh Zayed” po përgatitet të lirohet nga të qenit spital i trajtimit vetëm për pacientët me COVID-19, për t’iu rikthyer normalitetit, kështu kanë bërë të ditur burime të Gazetës Sinjali, brenda spitalit. Arsyeja është zvogëlimi i numrit të pacientëve të infektuar me COVID që po trajtohen në këtë spital.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me drejtorin e Spitalit të Vushtrrisë, Mursel Pllana, i cili tha se vendimin ose rekomandimin për t’u shndërruar në spital vetëm për pacientë me COVID e kanë marrë Komiteti brenda Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe vendimin për rikthim në gjendjen e mëparshme e merr prapë ky Komitet.

“Ne nuk kemi asgjë zyrtare prej drejtorisë së SHSKUK-së”, tha Pllana për Gazetën Sinjali.

Ndryshe, Gazeta Sinjali ka informacione se spitali po bëhet gati për rikthim në gjendjen e mëparshme, por Pllana thotë se nuk kanë ndonjë kërkesë rreth kësaj çështjeje.

“Ne vazhdimisht raportojmë në SHSKUK, këto raportet tona i kanë parasysh Komiteti i COVID-it atje, dhe në bazë të gjendjes ata e vlerësojnë sesi është puna. Ne kërkesë të veçantë nuk kemi, megjithëse banorët kanë kërkesa edhe për shërbime të tjera, por kërkesë të veçantë nuk kemi”, tha Pllana.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor të Kosovës, Valbon Krasniqi, më 14 korrik ka bërë të ditur se Spitali i Vushtrrisë “Sheikh Zayed” do të kthehet në spital për trajtimin e pacientëve për COVID-19. /Gazeta Sinjali/