Pronari i pompës së derivateve ‘Shell Kosova’, Lulzim Kryeziu, sot ka dalë para gjykatës si i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’. Kjo pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se gjyqtari i procedurës paraprake së shpejti pritet të dalë me vendim për aprovimin apo refuzimin e kërkesës së Prokurorisë.
Ndryshe, Sinjali dje ka raportuar ekskluzivisht se Kryeziu është denoncuar nga bashkëshortja e tij, e cila para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje të gjithë rastin që dyshohet të ketë ndodhur orët e para të ditës së mërkurë. Gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e përbashkët të çiftit në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, ku Kryeziu dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, duke e sulmuar atë fizikisht.
Përballë kësaj situate, ajo ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, teksa si dëshmitar është intervistuar edhe një anëtar i familjes Kryeziu.
Biznesmeni Kryeziu fillimisht nuk ishte i qasshëm për autoritetet, duke mos u përgjigjur as në thirrjet për paraqitje në stacion policor dhe si rrjedhojë intervistimi i tij ka qenë i pamundur.
Ndërsa më pas, Sinjali mëson se Kryeziu ishte paraqitur në stacion dhe ishte intervistuar nga hetuesit policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh. Kryeziu do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’, ndërsa bashkëshortja e tij ka shkuar te familja e saj, pasi që e njëjta nuk ndihet e sigurt të vazhdojë bashkëjetesën me biznesmenin e njohur kosovar.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Kryeziu has në telashe me ligjin për shkak të veprimeve të tij të dhunshme. Ai ishte denoncuar edhe më parë për sulm fizik ndaj një gazetari, i cili si pasojë e lëndimeve të marra nga rrahja, kishte kërkuar ndihmë mjekësore edhe në spital.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.