image Arrestohet pronari i 'Shell Kosova', ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij – përfundon në ndalim policor - Lajme
[wp-story id="814678"]

Ekskluzive

Arrestohet pronari i ‘Shell Kosova’, ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij – përfundon në ndalim policor

news image

Pronari i pompës së derivateve ‘Shell Kosova’, Lulzim Kryeziu, ka përfunduar mbrëmë në stacion policor si i dyshuar për dhunë në familje, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se Kryeziu është denoncuar nga bashkëshortja e tij, e cila para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje të gjithë rastin që dyshohet të ketë ndodhur orët e para të ditës së mërkurë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e përbashkët të çiftit në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, ku Kryeziu dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, duke e sulmuar atë fizikisht.

Përballë kësaj situate, ajo ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, teksa si dëshmitar është intervistuar edhe një anëtar i familjes Kryeziu.

Biznesmeni Kryeziu fillimisht nuk ishte i qasshëm për autoritetet, duke mos u përgjigjur as në thirrjet për paraqitje në stacion policor dhe si rrjedhojë intervistimi i tij ka qenë i pamundur.

Ndërsa mbrëmë rreth orës 19:00, Sinjali mëson se Kryeziu është paraqitur në stacion dhe është intervistuar nga hetuesit policorë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh. Kryeziu do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’, ndërsa bashkëshortja e tij ka shkuar te familja e saj, pasi që e njëjta nuk ndihet e sigurt të vazhdojë bashkëjetesën me biznesmenin e njohur kosovar.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Kryeziu has në telashe me ligjin për shkak të veprimeve të tij të dhunshme. Ai ishte denoncuar edhe më parë për sulm fizik ndaj një gazetari, i cili si pasojë e lëndimeve të marra nga rrahja, kishte kërkuar ndihmë mjekësore edhe në spital.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

/GazetaSinjali/