image Pronari multimilioner i 'Shell Kosova' rrezikon 1 muaj paraburgim për shkak se rrahu bashkëshorten

Siguri

Pronari multimilioner i ‘Shell Kosova’ rrezikon 1 muaj paraburgim për shkak se rrahu bashkëshorten

news image

Pronari i pompës së derivateve ‘Shell Kosova’, multimilioneri Lulzim Kryeziu, është futur në telashe me ligjin. Ai rrezikon 30 ditë paraburgim, nën dyshimet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, për çka ka përfunduar në ndalim policor. Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për arrestimin e tij, që erdhi si rezultat i denoncimit për dhunë në familje.

Ndaj tij, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka parashtruar kërkesë në Gjykatë që t’i caktohet masa  e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

“Ajo çka mund t’iu njoftojmë është se, Prokurori i Shtetit ka paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) personave të ndaluar në 24 orëshin e fundit, për shkak të veprës penale “Dhuna në familje””, thuhet  në përgjigjen e zëdhënëses Laureta Ulaj, dhënë Gazetës Sinjali.

Sipas informatave që posedon Sinjali janë se seanca ndaj Kryeziut nuk është mbajtur dhe i njëjti akoma nuk ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake.

kujtojmë se kohëve të fundit pothuajse se secili nga rastet e dhunës në familje ka përfunduar me masë paraburgimi.

Ndryshe, Sinjali sot raportoi se Kryeziu është denoncuar nga bashkëshortja e tij, e cila para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje të gjithë rastin që dyshohet të ketë ndodhur orët e para të ditës së mërkurë. Gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e përbashkët të çiftit në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, ku Kryeziu dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, duke e sulmuar atë fizikisht.

Përballë kësaj situate, ajo ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, teksa si dëshmitar është intervistuar edhe një anëtar i familjes Kryeziu.

Biznesmeni Kryeziu fillimisht nuk ishte i qasshëm për autoritetet, duke mos u përgjigjur as në thirrjet për paraqitje në stacion policor dhe si rrjedhojë intervistimi i tij ka qenë i pamundur.

Ndërsa mbrëmë rreth orës 19:00, Sinjali mëson se Kryeziu është paraqitur në stacion dhe është intervistuar nga hetuesit policorë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh. Kryeziu do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’, ndërsa bashkëshortja e tij ka shkuar te familja e saj, pasi që e njëjta nuk ndihet e sigurt të vazhdojë bashkëjetesën me biznesmenin e njohur kosovar.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Kryeziu has në telashe me ligjin për shkak të veprimeve të tij të dhunshme. Ai ishte denoncuar edhe më parë për sulm fizik ndaj një gazetari, i cili si pasojë e lëndimeve të marra nga rrahja, kishte kërkuar ndihmë mjekësore edhe në spital.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/