image Prokuroria në Gjakovë flet pas gjetjes së 15-vjecarës së zhdukur që nga qershori

Kosovë

Detaje/ Prokuroria në Gjakovë flet pas gjetjes së 15-vjecarës së zhdukur që nga qershori

news image

Yllka Shehu, zyrtare për informim në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, ka folur për rastin e 15-vjeçares Yllka Derri e cila është gjetur sot, pasi kishte qenë e zhdukur prej gjashtë muajve.

Në një bisedë të shkurt për Gazetën Sinjali, Yllka Shehu ka thënë se të gjitha informacionet janë të paraqitura në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ka thënë se ka biseduar pak më parë më prokurorin e rastit, i cili sipas saj, nuk i ka pranuar ende deklaratat e të përfshirëve në këtë rast. Ajo ka konfirmuar se janë intervistuar të gjithë të përfshirit në këtë rast.

“Nuk ka asgjë për momentin përveç njoftimit që e ka lëshuar Policia e Kosovës dhe policia e ka gjetur në shtëpinë e babait të këtij djali. Të gjithë kanë dhënë deklarata në prani të avokatëve dhe për momentin këto deklarata ende nuk i ka prokurori. Dmth nuk kemi asgjë tjetër më shumë”.

“Bisedova me prokurorin dhe tha që asnjë lloj komenti nuk ka për shkak të informacioneve dhe në momentin që të kemi informacionet ne do të ju informojmë”.

Gazeta Sinjali ka biseduar gjatë ditës së sotme me nënën e Yllkës, Teuta Derrin e cila ka thënë se informacionet e vetme që i kanë është se vajza e tyre është gjetur.

 “Nuk di asgjë se as ku është gjetur sepse nuk kemi fol me policët as asgjë dhe nuk kemi kurrfarë informate njëherë përnjëherë”, ka deklaruar ajo.

Nëna e të miturës ka thënë se janë lejuar vetëm ta shohin shumë shkurt vajzën e tyre, dhe asgjë më shumë.

“Veç e kemi pa edhe sen s’po di. Kemi hy kështu kalimthi e kemi pa dhe asgjë më shumë”.

“Asgjë nuk kemi mundur me e pyet dhe as policia nuk na ka informua asgjë deri më tash. Besoj që ndoshta jo sot, por të paktën nesër do të na informojnë”, ka deklaruar Teuta Derri për Gazetën Sinjali.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot ka gjetur Yllka Derrin të lajmëruar si të zhdukur nga prindërit e saj që nga qershori i këtij viti. Aty thuhet se është gjetur në shtëpinë e Besart Blerim Radostës.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, respektivisht Sektori Rajonal për Hetime me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjakovë sot në ora 06:30 ka realizuar një operacion kontrolli në shtëpinë e personit të dyshuar Besart (Blerim) Radosta, i dyshuar për vepër penale “Bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçare””.

“Gjatë operacionit policor është arrestuar personi i dyshuar e po ashtu është gjetur edhe personi i mitur Yllka (Naim) Derri e cila ishte raportuar si person i zhdukur nga familjarët e saj që nga data 15 qershor e këtij viti”, thuhet në njoftim ne Policisë së Kosovës.

Në bisedën e realizuar gjatë javës së kaluar Teuta Derri, nëna e Yllkës kishte drejtuar gishtin në drejtim të Blerim Radostës dhe djalit të tij Besartit.

Ashtu siç kishte pretenduar ajo, në shtëpinë e të dyshuarve është gjetur Yllka Derri.

Yllka Derri më 14 qershor të këtij viti ishte nisur për në shkollë, ku kishte qenë duke vijuar mësimet në klasën e nëntë. Vetëm dy orë pasi ishte nisur nga shtëpia, babai i Yllkes, Naimi, kishte marrë një thirrje telefonike, raporton Gazeta Sinjali.

Në telefon ishte lajmëruar Blerim Radosta, babai i B.R, 17-vjeçar me të cilin ishte duke qëndruar Yllka. Familjarët kanë treguar për Gazetën Sinjali se Radosta i kishte thënë Naimit se vajza është me djalin e tij.

Marrëdhëniet mes dy familjeve nuk ishin aspak të mira, për shkak se prindërit e Yllkës nuk ishin pajtuar që vajza e tyre të kalojë në një fazë të tillë ‘martesore’ si 15-vjeçare. Ata kanë lajmëruar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore të Gjakovës, por vajza e tyre kishte qëndruar e zhdukur për rreth gjashtë muaj deri në ditën e sotme./Gazeta Sinjali/