image Prokuroria e Pejës “çele guri gojën” për festën e Haradinajt me kallash e sharkia

Drejtësi

Heshtje/ Prokuroria e Pejës “çele guri gojën” për festën e Haradinajt me kallash e sharkia

news image

Videot e publikuara në Gazetën Sinjali ku shtihet me armë zjarri në prani të Ramush Haradinajt, vëllait të tij Dautit dhe dhjetëra policëve të Kosovës, u tha se kishin aktivizuar Prokurorinë Themelore të Pejës që të hap rast dhe t’i hetojë personat e dyshuar për veprën penale: “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Shkrimi i titulluar “Me ‘kallash’ dhe sharkia, ja sesi në Deçan festoi Qeveria” i publikuar në Gazetën Sinjali rreth një muaj më parë, bëri bujë të madhe për të keq jo vetëm te qytetarët kosovarë por edhe në mediat e rajonit.

Ka më shumë se dhjetë ditë që Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në Prokurorinë e Pejës, për të marrë përgjigje nëse zyrtarisht kanë filluar hetimet për t’i identifikuar personat që gjuajtën me armë zjarri si dhe a do t’i ftojnë për intervistim edhe Ramush e Daut Haradinajn.

Por, përkundër obligimit ligjor për të qenë transparent për veprimet që obligon ligji dhe të denoncuara publikisht, për habi Prokuroria Themelore në Pejë ka zgjedhur heshtjen përballë pyetjeve të Gazetës Sinjali.

Për këtë çështje janë dërguar pyetje të hënën, më 9 shtator 2019 edhe në Prokurorinë e Shtetit, por as ky institucion, deri më tani, nuk ka kthyer përgjigje. 

Se deri ku ka shkuar procesi hetimor për këtë rast, nuk është përgjigjur as zyra e policisë për informin në policinë rajonale të Pejës e as Zyra e Informimit në Policinë e Kosovës.

Heshtjen e ka zgjedhur edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili nuk ka kthyer përgjigje nëse janë identifikuar policët në prani të të cilëve u gjuajt me armë zjarri, madje sipas sinjalizuesve disa prej tyre edhe vetë kanë qenë të implikuar në gjuajtjen me armë.

Sigurisht se Prokuroria asnjëherë nuk do të heshte sikur në këtë rast do të kishin të bënin me qytetarë të rëndomtë, sepse ashtu siç është provuar edhe në të kaluarën, kurdo që ka pasur të shtëna madje qoftë edhe në dasma dhe ahengje, Policia e Kosovës ka intervenuar me urgjencë, ka sekuestruar armë dhe ka ndaluar e paraburgosur personat e implikuar. Arrestimit për të shtëna me armë në disa raste nuk i kanë shpëtuar madje as nikoqirët e dasmave apo ahengjeve.

Përkundër heshtjes së Prokurorisë dhe institucioneve tjera relevante, Gazeta Sinjali do të vazhdojë të kërkojë përgjigje për veprimet imperative të organeve të drejtësisë, pavarësisht se në rastin konkret është i përfshirë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ish-deputeti Daut Haradinaj dhe zyrtarë të tjerë që paguhen nga taksat e qytetarëve.

Kujtojmë se jo vetëm të shtënat me armë përbëjnë vepër penale por edhe moslajmërimi i veprës penale siç ka ndodhur deri në momentin e publikimit të videos në Gazetën Sinjali, përbën vepër penale.

Heshtja e prokurorisë ndaj Gazetës mund të justifikohet por assesi dështimi për të hetuar dhe sjellë para organeve të drejtësisë kryerësit e së paku dy veprave penale.

/Gazeta Sinjali/