image Priten rezultatet për koronavirus të 10 punëtorëve shëndetësorë në Ferizaj

Shëndetësi

Priten rezultatet për koronavirus të 10 punëtorëve shëndetësorë në Ferizaj

news image

Në Komunën e Ferizajt mbrëmë janë konfirmuar edhe 15 raste të reja me koronavirus. Në mesin e të infektuarve ka pasur edhe punëtorë shëndetësorë, shkruan Gazeta Sinjali.

Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bekim Ademi.

Ademi po ashtu njoftoi se edhe sot janë testuar përafërsisht 10 punonjës si të dyshuar me koronavirus.

“Në spitalin e Ferizajt sot janë marrë mostrat edhe të një pjesë të personelit shëndetësorë. Afërsisht 10 duhet të jenë testuar”, ka thënë Ademi për Gazetën Sinjali.

Deri më sot në këtë spital kanë rezultuar pozitiv me koronavirus edhe 6 punëtorë të tjerë shëndetësorë.

Me rezultatet e dy ditëve të fundit, janë konfirmuar 4 specialistë të infektuar, dhe 2 infermierë.

Ndërkaq, edhe disa drejtorë në këtë komunë janë regjistruar si raste pozitive, duke përfshire edhe vetë Ademin.

“Deri më sot janë 11 zyrtarë të infetkuar me koronavirus, është nënkryetari i komunës, 6 drejtorë, kryesuesja e kuvendit dhe 3 persona të tjerë në kabinetin e kryetarit Agim Aliu”, ka deklaruar Ademi.

Deri më sot në Ferizaj janë regjistruar 196 raste me koronavirus dhe janë shëruar 135 persona./GazetaSinjali/