Pronari i një kompanie të taksive nga Peja është ankuar pasi që Policia e Kosovës ka gjobitur njërin nga shoferët, i cili ishte duke punuar gjatë orës policore, shkruan Gazeta Sinjali.
Duke kërkuar që të mbetet anonim, ai për Gazetën Sinjali tregoi se përkundër që shoferi i ka prezantuar zyrtarëve policorë lejen për qarkullim gjatë orës policore, të lëshuar nga shtabi emergjent i kësaj komune, është dënuar me 200 euro gjobë.
Po ashtu, pronari i kësaj kompanie ka dërguar në redaksinë e gazetës edhe gjobën e shqiptuar nga policia, si dhe aprovimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për pajisjen me leje për qarkullim në kohën kur është e kufizuar lëvizja e qytetarëve.
Ai tha se kjo nuk është hera e parë që shoferët e kompanisë së tij gjobitën nga Policia e Kosovës gjatë orës policore.
Sipas tij, një ditë pasi që qeveria mori masat e reja anti-COVID, më 15 nëntor, katër shoferë të kësaj kompanie janë gjobitur me nga 200 euro.
Për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që lëvizja e qytetarëve në Komunën e Pejës të ndalohet nga ora 19:00 deri në orën 05:00.
Por, në të njëjtin vendim pika e nëntë thotë se “Taksitë lejohen të punojnë me vetëm një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes”./Gazeta Sinjali/