Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht për një incident që ka ndodhur sot në Ministrinë e Ekonomisë, ku një zyrtar është sulmuar dhe kanosur nga zëvendësdrejtori i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se Policia ka nisur një hetim preliminar lidhur me rrethanat e rastit.
“Sot rreth orës 15:00, kemi marrë informatën se në rrugën ” Bill Klinton” në Prishtinë, një person është sulmuar dhe kanosur nga kolegu i tij. Aktualisht policia ka nisur një hetim preliminar lidhur me rrethanat e këtij rasti, me qëllim ndriçimin e plotë të ngjarje”, tha Borovci për Sinjalin.
Ndryshe, sipas burimeve të Gazetës Sinjali, zyrtari A.Ç., është kanosur dhe sulmuar nga L.M., i cili mban pozitën e zëvendësdrejtorit ekzekutiv të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës.
Si pasojë e rrezikut që iu kanos, A.Ç., vendosi që rastin ta denoncojë në Polici, për çka më pas shkoi edhe vetë në Stacion Policor për të rrëfyer gjithë atë se çfarë ndodhi brenda objektit të Ministrisë.
Po ashtu në Polici është shoqëruar edhe i dyshuari, L.M., ku në konsultim me prokurorin kompetent, nga Policia është iniciuar rasti ‘Kanosje’, me ç’rast po punohet për grumbullimin e provave dhe fakteve për të ndriçuar të vërtetën e ngjarjes së denoncuar.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me të gjitha detajet e reja lidhur me rastin.