image "Polici ka ushtru dhunë ndaj tij, ja ka thy dhëmbët", flet familjari i të riut që po dyshohet për sulm ndaj policëve

Siguri

“Polici ka ushtru dhunë ndaj tij, ja ka thy dhëmbët”, flet familjari i të riut që po dyshohet për sulm ndaj policëve

news image

Policia e Kosovës në raportin 24-orësh sot njoftoi për arrestimin e një personi, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë, brenda Stacionit Policor në Pejë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas policisë, 27-vjeçari ishte në gjendje të dehur kur sulmoi fizikisht policët.

Por, version të ndryshëm nga Policia, ka një familjar i Burimit, i cili në një prononcim për Gazetën Sinjali tha se zyrtarët policorë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 27-vjeçarit.

Madje, ai pretendon se policët ia kanë thyer dhëmbët Burim Berishës.

“Polici ka ushtru dhunë. Ja ka thy dhëmbët dhe ka shenja në fytyrë. Njëri e ka shty, e ka largu, tjetri ka ushtru dhunë. Edhe vetëm e kanë ftu ambulancën aty me e shiku në mbajtje“, tha ai.

Sipas tij, policët e kishin provokuar të riun, duke e tërhequr dhe shtyrë.

“Edhe 1 orë e kanë lënë me prit para stacionit të Policisë, nuk ja kanë shqiptuar gjobën. Policia pas futjes në stacion dhe shqiptimit të gjobës në pritje që gjoba t’i shqiptohet edhe shokut të tij, kanë filluar provokimet nga ana e zyrtarëve policorë, duke e tërhequr dhe shtyrë e pastaj në një moment i fusin në dhoma të ndara me pretekstin se duhet të japin deklarata”, tha ai.

“Edhe lindë pyetja në gjendje të dehur të ketë forcë që të rrahë dy zyrtarë policorë, apo ky është preteksti i policëve, për të fshehur dhunën e ushtruar ndaj një personi në gjendje të keqe shëndetësore ( i dehur).”

Ai paralajmëron se do të dërgojë ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës kundër policëve për të cilët pretendojnë se kanë sulmuar fizikisht familjarin e tyre.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të IPK lidhur me këtë rast dhe është në pritje të përgjigjeve.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/