image “Patro” dhe “Llaseri” dy vëllezërit nga Prizreni me të kaluar kriminale

Drejtësi

“Patro” dhe “Llaseri” dy vëllezërit nga Prizreni me të kaluar kriminale

news image

Patriot Morina nga Prizreni, i cili u dërgua në paraburgim për posedim e shitblerje të drogës është vëllai i Demokrat Morinës, që është dënuar me burgim për disa vepra penale. Të njohur si “Patro” dhe “Llaseri”, dy të rinjtë për një kohë të gjatë kanë qenë problematikët e Prizrenit. Demokrati po vuan dënimin për disa vepra penale, ndërkohë që vëllai i tij, Patrioti është dërguar në paraburgim javën e kaluar, raporton Gazeta Sinjali.

Kush janë “Patro” dhe “Llaseri” dhe për çka dyshohen

Demokrat Morina vitin e kaluar është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim për tentim vrasje, kanosje e mbajtje të armëve pa autorizim

I riu me të kaluar kriminale në nëntor të vitit 2020, në rrugën “Latif Berisha” në Prizren, kishte tentuar ta vras me armë zjarri një person, duke e lënë të plagosur. Gazeta Sinjali kishte raportuar atë ditë, se i dyshuari kishte ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që viktima ishte dërguar në Spitalin rajonal të Prizrenit për të marrë trajtim mjekësor.

“Llaseri” qëndroi në arrati për ditë të tëra si i dyshuar për këtë rast dhe derisa Policia po e kërkonte, ai kreu një vepër tjetër penale. Me armë zjarri në brez, si kapadai, edhe pse policia nuk po arrinte ta mësojë vendndodhjen e tij, më 1 dhjetor 2020 ai kishte kryer një kanosje. Rreth orës 16:00 të asaj dite, ai akuzohet se i ka kërcënuar me armë zjarri tre të mitur dhe përsëri ia doli të largohej.

“Rr. Ibrahim Rugova, Prizren 01.12.2020-16:18. I dyshuari mashkull kosovar ka kanosur me armë zjarri tre viktima të mitur  meshkuj kosovarë të cilët i kishte ndjekur me armën e tij. I dyshuari është larguar në  drejtim të  panjohur dhe gjendet në arrati. Rasti nën hetime”, thuhej në raportin e policisë të asaj dite.

Dy ditë më vonë, më 3 dhjetor 2020, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kishte arritur ta ndalojë Demokrat Morinën. Në komunikatën e Policisë të lëshuar atë ditë thuhet se ndalimi i tij kishte ardhur pas një rezistence që i njëjti kishte treguar kundër organeve të rendit, duke provuar t’i shmanget ndalimit dhe arrestimit. Atë ditë ai u kap me një armë të tipit  Ekol Special99, kalibër 7.65, dhe 5 fishekë.

I riu me të kaluar kriminale, u arrestuar sërish në vitin 2021. Më 15 korrik, rreth orës 16:50 ai ka tentuar të ther me thikë një 17-vjeçar në Prizren, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Rastin atë kohë e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës. “Rasti ka ndodhur rreth orës 16:50 në rrugën ‘Zhuri 89’, në Prizren. Viktima, i lindur në vitin 2004 ka pësuar lëndim të lehtë në krah dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit”, thanë për Sinjalin nga policia e rajonit të Prizrenit.

I riu që konsiderohej nga Policia me rrezikshmëri të lartë, u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren më 28 prill të vitit të kaluar.

Për veprën penale “vrasje në tentativë”, Gjykata ia shqiptoi “Llaserit” dënimin me 26 muaj burgim, ndërsa për akuzën për kanosje, ai u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 5 muajsh.

Ndërsa për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, për dy raste, ai u dënua me nga 4 muaj burgim.

Nga Gjykata Themelore në Prizren kanë bërë të ditur për Sinjalin se Demokrat Morinës i është shqiptuar dënimi unik me burgim me 3 vjet e një muaj.

“Konform nenit 76 paragrafi 2 nënparagrafi 2.2 të KP, gjykata ia shqipton dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej 37 muajve ( 3 vjet e një muaj),në të cilin dënim me burgim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 03.12.2020 deri më 28.04.2021. Paraprakisht Prokuroria e Shtetit i kishte parashtruar Gjykatës marrëveshjen e arritur për pranimin e fajësisë me të akuzuarin i D.M..”

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren është vërtetuar nga Gjykata e Apelit më 24 nëntor 2021. Ndërsa në muajin dhjetor të vitit 2021, Zyra për ekzekutimin e sanksioneve penale në Gjykatën Themelore në Prizren, ka lëshuar urdhëresën për ekzekutimin e dënimit dhe në janar Gjykata ka pranuar konfirmimin nga burgu se i akuzuari Demokrat Morina është në vuajtje të dënimit.

Çka dihet për Patriot Morinën, vëllain e Demokratit, i cili po ashtu qëndroi në arrati për muaj të tërë?

Më 1 dhjetor të vitit të kaluar, Policia kishte kryer një bastisje në shtëpinë e familjes Morina, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren. Zyrtarët policorë kishin arritur të gjenin drogë në shtëpinë e tyre, por jo edhe të dyshuarin për posedimin e saj.

Në orët e mbrëmjes të asaj dite, në dhomën e ndejës të shtëpisë së tyre, në prezencën e babait të “Patros”, ishin gjetur: substanca narkotike e llojit marihuanë në peshë prej 0.59 gr, 7 (shtatë) qese najloni të zbrazura, 2 (dy) foli, 1 (një) alumini dhe 1 (një) najloni, 1 (një) qese najloni me 7 (shtatë) foli alumini me substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 9.96 gr, substancë e narkotikut e llojit marihuanë në peshë prej 0.12 gr, 1 (një) pjatë me mbetje të substancës narkotike të llojit kokainë, 1 (një) peshore digjitale Unit king ngjyrë e bardhë, në banjo të shtëpisë te sholja e ujit janë gjetur edhe 4 (katër) qese najloni, 3 (tre) foli alumini me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 661.15 gr., ndësa në dhomën e gjumit është gjetur 1 (një) boks hekuri dhe 1 (një) thikë ngjyrë e gjelbër.”

Për këtë rast, Patriot Morina qëndroi në arrati për gati katër muaj. Policia arriti ta kap tek të premten, më 25 mars. Ndaj tij menjëherë u bë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë. Kërkesa e Prokurorisë u aprovua dhe Gjykata ia caktoi masën e paraburgimit.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës, Marcel Lekaj. Në një përgjigje me shkrim, Lekaj njoftoi se të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, e cila mund të zgjasë deri më 25 prill.

 “Patro” dyshohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.”

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personi që posedon drogë mund të dënohet me burgim deri në 8 vjet.

“Kushdo që pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim prej dy (2) deri në tetë (8) vjet”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/