image Arrestohet "Llaseri", personi që u kërkua prej kohësh nga Policia

Siguri

Arrestohet “Llaseri”, personi që u kërkua prej kohësh nga Policia

news image

Sot Policia e Kosovës ka ndaluar dhe ka arrestuar personin e dyshimtë me rrezikshmëri të lartë, Demokrat Morinën, i njohur me nofkën “Llaseri”, i lindur në vitin 1993 në Prizren, shkruan Gazeta Sinjali.

I dyshimti si një recidivist i veprave penale, në kohët e fundit është akuzuar për dy raste serioze të “Tentim vrasjes” dhe rastit “Kanosje”.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media dhe për më tepër thuhet se pas një rezistence që ka treguar kundër organeve të rendit, i njëjti duke provuar t’i shmanget ndalimit dhe arrestimit ka provuar ikjen nga organet e rendit.

Por, njësitë speciale të policisë në Prizren, aty rreth orës 14:30, kanë arritur ta ndalojnë të dyshuarin e i cili ishte në posedim të një arme tip revole Ekol Special99, kalibër 7.65, dhe 5 fishek.

“Pas ndalimit dhe arrestimit policia në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar armën e cila dyshohet së është përdorur nga i dyshimti në dy rastet e mëhershme. Rasti është duke u trajtuar nga njësia e hetimeve rajonale në Prizren, dhe për këtë rast është njoftuar Prokurori i Shtetit në Prizren i cili ka lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orë”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Ndryshe, Gazeta Sinjali ka raportuar dje për Demokrat Morinën, i njohur me nofkën “Llaseri” i cili tash e dhjetë ditë ishte duke u kërkuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se ka tentuar të vrasë një person, duke e lënë të plagosur, më 23 nëntor në rrugën “Latif Berisha” në Prizren.

/Gazeta Sinjali/