Gjatë mbrëmjes së djeshme, Sinjali ka raportuar për një rast në Prishtinë, ku një shofer i kompanisë “24 yjet”, e ka përdorur telefonin gjatë kohës sa voziste, duke rrezikuar kështu jetën e udhëtarëve.
Rastin e kishte sinjalizuar një lexues i Sinjalit përmes një videoje që ka dërguar në redaksinë tonë.
Lidhur me këtë rast, Sinjali ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe kompaninë “24 yjet”. Polica nuk ka qenë në dijeni, por pas raportimit tonë, ka ndërmarrë masa për verifikimin e rastit.
“Lidhur me këtë kundërvajtje është njoftuar njësiti kompetent, i cili konform autorizimeve ligjore do të ndërmarrë masa ndaj kundërvajtësit”, ka deklaruar zëdhënësja e PK-së, Flora Ahmeti për Sinjali.com.
As nga kompania nuk kanë qenë të njoftuar që shoferi i tyre e ka përdorur telefonin gjatë vozitjes, duke rrezikuar jetën e udhëtarëve. Në një përgjigje për Sinjalin, Gani Sinani nga kjo kompani, ka thënë se kompania do ta gjobisë shoferin në fjalë.
“Ai dënohet me të holla, gjobitet, edhe herën tjetër (nëse përsëritet rasti) ai mund të largohet nga puna”, ka thënë Sinani në një përgjigje për Sinjalin.
Sinjali do të vazhdojë të raportojë për raste të ngjashme, dhe inkurajon qytetarët që të jenë bashkëpunues në këtë aspekt, duke dërguar foto, video dhe informata ekskluzive. Për çdo sinjalizim të publikuar në Sinjali.com, qytetarët do të kompensohen deri në 100 euro.