image Pas publikimit të pamjeve nga Sinjali të rrahjes së përgjakshme në Prizren, Policia del me sqarim

Siguri

Pas publikimit të pamjeve nga Sinjali të rrahjes së përgjakshme në Prizren, Policia del me sqarim

news image

Sot Gazeta Sinjali ka publikuar videon e rrahjes së përgjakshme që ka ndodhur ditë më parë në picerinë “Proper Pizza” në Prizren, në të cilën u përfshinë disa persona. Gazeta Sinjali po ashtu raportoi se për këtë rast policia ka deklaruar se nuk kanë informacione kur Sinjali ka pyetur zëdhnësat e Policisë në Prizren.

Lidhur me këtë rast policia ka dalë me një sqarim në të cilin ka njoftuar se në raportin 24 orësh të datës 8 gusht janë dhënë informacionet rreth këtij rasti.

Megjithatë, për korrektësi të lexuesve të Sinjalit, Gazeta Sinjali njofton se ka komunikuar me zëdhënësit e Policisë në Prizren, por të njëjtit kanë thënë se nuk kanë informacione për këtë rast edhe pse Sinjali kishte kërkuar më shumë detaje rreth ngjarjes.

“Për boks të hekurit edhe arma ka ndodhë me një market e kena raportuar e keni marrë komunikatën kjo ka qenë para dy dite. Jo ai rast ka qenë në market, e për këtu ku po folni ju kqyri nëse marr ndonjë raport prej stacioni e konfirmojmë edhe këtë rast”, ka thënë zyrtari për informim në Prizren pasi kontaktimit nga ana e Sinjalit.

Mirëpo të njëjtit pas kësaj telefonate nuk kanë dërguar asnjë informacion në adresë të Gazetës Sinjali.

Sinjali përveç Policisë ka kërkuar informacione edhe nga prokuroria, por as ky institucion nuk ka kthyer përgjigje lidhur me rastin.

Sqarimi që policia ka bërë sot është se për këtë rast policia ka njoftuar në raportin 24 orësh të PK-së, të datës 9 gusht ku sipas tyre kanë dhënë detaje lidhur me ngjarjen.

Mirëpo, kur Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje për detaje lidhur me këtë ngjarje zëdhënësit e Policisë në Prizren nuk kanë dhënë as këto informacione.

Sipas raportit të policisë të datës 8 gusht shkruhet se dy viktimat kanë raportuar se për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme në një lokal ishin sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar meshkuj, ku njëri nga viktimat  për shkak të lëndimeve ka marrë tretman mjekësor.

Gazeta Sinjali sot ka publikuar pamjet ku shihet se si disa persona rrihen mes vete deri në përshkallëzim të situatës, ku të dyshuarit rrahen me grushte e karrige mes vete.

Madje në pamjet e rrahjes me grushte e karrige, shihet edhe një armë që i bie në tokë njërit nga personat e përfshirë në këtë rast.

Sinjali pak më herët ka shkruar se pas publikimit të kësaj video në redaksinë e tonë kanë ardhur mesazhe të shumta në të cilat tregohet se njëri nga të dyshuarit në këtë rast është një person i njohur me nofkën Gabby Thaçi.

Sinjalizuesit kanë njoftuar se ky person është ende në arrati, ndonëse Policia është në dijeni për përfshirjen e tij në rrahjen e publikuar nga Sinjali.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/

/Gazeta Sinjali/