Pas motit jostabil që solli shtrëngata të fuqishme mbi vend, në ditët e ardhshme depërtimi i fushave anticiklonike sjell përmirësim të motit me kthjellime dhe intervale më të gjata me diell, bën të ditur Prishtina Weather.
Shërbimi i meteorologjisë njofton se në aspektin termik edhe ditën e nesërme mbetemi nën ndikim të masave më të ftohta ajrore, por se temperaturat do të shënojnë rritje, e ditën e shtunë do të rriten sërish edhe mbi 20C.
Mëngjeset do të jenë të ftohta me temperatura ndjeshëm nën vlera mesatare, andaj duhet të bëni kujdes që ta shmangni ndonjë ftohje, shkruan Gazeta Sinjali.
Ditën e diel, kalimi i një fronti të ftohtë do të sjellë vranësira dhe reshje kalimtare shiu, paralajmëron PW.
Sipas tendencave të fundit, javën e ardhshme, do të mbizotërojë mot më i freskët dhe i ndryshueshëm, me mundësi për reshje shiu. Temperaturat do të luhaten nën vlera mesatare, thekson PW.
Shërbimi i meteorologjisë bën të ditur se cilësia e ajrit ka filluar të përmirësohet, pasi që erërat e ditëve të fundit kanë shpërndarë pluhurin saharian në juglindje prej rajonit tonë.
Parashikimi për sot dhe nesër:
22.05.2020 – Pas mëngjesit të ftohtë, ditën kryesisht me diell. Temperaturat në vise të ulëta 6C deri 19C, e në vise malore 3C deri 14C. Do të fryj erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja 4-10m/s. Indeksi UV: 8.
23.05.2020 – Kryesisht me diell. Mëngjesi i ftohtë, e ditën më ngrohtë. Më vonë gjatë ditës vranësira kalimtare. Temperaturat në vise të ulëta 5C deri 21C, e vise malore 3C deri 15C. Do të fryj erë e lehtë nga perëndimi dhe jugperëndimi 2-4m/s. Indeksi UV: 9. /Gazeta Sinjali/