Gjatë ditës së sotme, në Kosovë do të mbajë mot me diell. Mund të ketë vranësira të pakta, sidomos përreth relievit malor, por nuk parashikohen reshje, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Ky institut parasheh që sot temperaturat të arrijnë deri në 30 gradë Celsius dhe të ketë vlera të larta të indeksit UV, andaj rekomandon që të përfillen udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për kujdes nga ekspozimi ndaj tyre.
“Indeksi UV do të jetë sërish me vlera të larta dhe udhëzimet e IKSHP do të jenë në dobi të popullatës, sidomos të një shtrese te saj me probleme kronike. Presioni atmosferik do të vazhdoj me vlera të mbi normales. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-30 gradë Celsius”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Sot, po ashtu pritet të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes.
Udhëzimet e IKSHPK-së:
Masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike janë:
1. Personat e moshuar asesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet;
2. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të hapura;
3. Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale;
4. Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, te të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial;
5. Paraqitja e kokëdhembjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familjar ose në qendrën më të afërt emergjente;
6. Anëtarët e familjes, miqtë, fqinjët dhe anëtarët e OJQ-ve të cilët kujdesen për të moshuarit gjatë muajve të nxehtë të verës duhet doemos më shpesh të kontaktojnë me të moshuarit, e në raste të paaftësive funksionale edhe disa herë gjatë ditës;
7. Në rast se del jashtë shtëpisë/banesës ku jeton, i moshuari duhet detyrimisht të bartë me vete të dhënat elementare, emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes, adresën e banimit, numrin e telefonit të personit kontaktues, i cili mund të kontaktohet lidhur me këtë person të moshuar;
8. Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt;
9. Është i domosdoshëm aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit, sidomos ecja e vazhdueshme në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, qëndrimi sa më i gjatë në natyrë (park, shëtitore etj).
10. Nëse i moshuari ka vështirësi për të lëvizur për shkak të pamjaftueshmërive funksionale, atëherë duhet bërë ajrosjen shumëorëshe të hapësirave ku qëndron i moshuari./Gazeta Sinjali/