image Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme

Prishtina Weather/ Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme

news image

Mot  i butë dhe me mjegull rreth viseve të ulëta do të mbretojë në vendin tonë gjatë kësaj fundjave, priten edhe reshje lokale shiu.

Masa më të ngrohta ajrore kanë filluar të shtrihen mbi rajon, e nga perëndimi po afrohen vranësira të cilat gjatë natës dhe ditën e nesërme do të sjellin reshje lokale shiu, me mundësi edhe për shi të akullt, e në vise malore mbi 2000m reshje bore, paralajmëron Prishtina Weather.

Shërbimi i meteorologjisë bën të ditur se në vise të ulëta do të formohen shtresa të mjegullës, që vende-vende mund të mbeten edhe gjatë ditës.

“Në fillim të javës së ardhshme një vorbull ciklonike nga Atlantiku do të depërtojë mbi rajon, që do të sjell reshje shiu, që mund të përzien edhe me reshje bore ditën e mërkurë. Vlerat e cilësisë së ajrit që tashmë kanë filluar të kalojnë edhe në vlera të pashëndetshme, nën kushtet e parashikuara meteorologjike do të mbeten rreth këtyre vlerave, mirëpo gjatë ditës vende-vende do të zbresin edhe rreth vlerave mesatare”, njofton PW.

Parashikimi për datat 7-11 dhjetor:

7.12 – Mot më i butë. Në mëngjes dhe paradite reshje lokale shiu. Ditën vranësira të ndryshueshme. Në mbrëmje në vise të ulëta mjegull, vende-vende mundësi për riga shiu.

8.12 – Butë dhe pjesërisht vranët. Në mëngjes në vise të ulëta mjegull, që mund të mbetet edhe gjatë ditës.

9.12 – Mbetet mot i butë dhe pjesërisht i vranët. Në vise të ulëta, në mëngjes me mjegull.

10.12-11.12 – Të martën, kryesisht me vranësira. Pasdite dhe në mbrëmje reshje shiu, që më vonë mund të përzien edhe me reshje bore. Ditën e mërkurë, më ftohtë. Herët në mëngjes reshje të dobëta bore. Ditën kryesisht vranët.

Temperaturat e ajrit do të rriten mbi vlera mesatare për këtë periudhë kohore në të dy vlerat ekstreme. Minimalet do të luhaten nga +1C deri në +3C, ndërsa maksimalet nga 7C deri në 11C.

Era do të fryjë e lehtë nga drejtimesh të ndryshme 1-2m/s.

Shtypja atmosferike do të mbetet mbi vlera normale, e në fillim të javës së ardhshme do të pësojë rënie të theksuar./Gazeta Sinjali/