Qeveritë duhet të përgatiten për ngjarje më ekstreme të motit dhe temperatura rekorde në muajt e ardhshëm, paralajmëroi të martën Organizata Botërore Meteorologjike, teksa shpalli fillimin e fenomenit të ngrohjes El Niño.
El Niño është një model klimatik natyror në Oqeanin Paqësor tropikal që sjell temperatura më të ngrohta se mesatarja e sipërfaqes së detit dhe ka një ndikim të madh në mot në të gjithë globin, duke prekur miliarda njerëz.
“Shfaqja e El Niño do të rrisë shumë gjasat për të thyer rekorde të temperaturës dhe për të shkaktuar nxehtësi më ekstreme në shumë pjesë të botës dhe në oqean”, tha Sekretari i Përgjithshëm i WMO, Petteri Taalas, raporton CNN.
Deklarata “është sinjal për qeveritë në mbarë botën për të mobilizuar përgatitjet për të kufizuar ndikimet në shëndetin tonë, ekosistemet tona dhe ekonomitë tona”.
Për të shpëtuar jetë dhe mjete jetese, qeveritë duhet të krijojnë sisteme të paralajmërimit të hershëm dhe të përgatiten për ngjarje të tjera shkatërruese të motit këtë vit, tha ai.