image Nisin hetimet pas anulimit të zgjedhjeve në Han të Elezit

Nisin hetimet pas anulimit të zgjedhjeve në Han të Elezit

news image

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka filluar hetimet në lidhje me rastin e zgjedhjeve lokale për kryetar komune në Han të Elezit, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas komunikatës për medie, hetimet në lidhje me rastin në fjalë do të bëhen nën dyshimin për veprat penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas marrjes së informatave se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP),ka anuluar procesin e votimeve të datës 17 Tetor 2021 për kryetar komune në Han të Elezit, ka autorizuar Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin në fjalë, nën dyshimin për veprat penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”  nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës të KPRK-së (KPRK)”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të anulojë zgjedhjet për kryetar të  komunës në Hanin e Elezit.

“Procesi i votimit do të përsëritet vetëm për kryetar komune, për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjeve të votuesve”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Pas vendimit të PZAP-it, ka reaguar kandidati për kryetar të Hanit të Elezit, nga PDK, Mehmet Ballazhi, i cili bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së kishte fituar këtë komunë.

I kontaktuar nga Sinjali, Ballazhi ka thënë se Rufki Suma do të humb dëmshëm. Madje për të është “mashtrim” fakti që kryetari aktual i Hanit të Elezit i ka uruar atij fitoren në njërën anë, kurse në anën tjetër ka parashtruar ankesë të tillë.

“Unë jam shumë i bindur që jo vetëm interesant që kemi pasur, por ne do të kemi një rezultat edhe më të thellë. Edhe ajo që është edhe më interesant zotëri Suma do të humb dëmshëm sepse ka vepruar në mënyrë mashtruese, në mënyrë jo njerëzore sepse ai ma ka uruar fitoren dhe nuk e di pse i ka shkuar ndër mend të bëjë një gjë të tillë me këto mashtrime të tilla. Por, megjithatë është vendim i tij”, tha ai për Sinjalin.

Kurse, Rufki Suma për Sinjalin ka deklaruar se vendimi i PZAP-së ka qenë i drejtë. Si dhe ka pohuar se ka uruar kandidatin e PDK-së për fitore.

“Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka qenë i drejtë, kjo sepse ne kemi bërë një ankesë dhe kemi bërë njoftim që kandidati i PDK-së i ka vizituar të gjitha vendvotimet e këtyre zgjedhjeve. Informatë të cilën e pohon edhe vetë kandidati i PDK-së kur e pranon për Kallxo që i ka vizituar të gjitha vendvotimet, të gjitha qendrat e votimit në Han të Elezit. Kjo është në kundërshtim me çdo rregull zgjedhore me ligjet në fuqi që janë në Kosovë”, ka thënë ai për Sinjalin.

/Gazeta Sinjali/