image Kërkohet paraburgim për punëtorin e Neptunit që u arrestua nën dyshimet se përfitoi mijëra euro nga kartelat e klientëve - Sinjali

Kërkohet paraburgim për punëtorin e Neptunit që u arrestua nën dyshimet se përfitoi mijëra euro nga kartelat e klientëve

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Avdyl Selimit, punëtorit të kompanisë Neptun që dyshohet se vodhi të dhënat nga kartelat bankare të klientëve, raporton Gazeta Sinjali.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo kreditit’

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, në vazhdimësi e deri me datën 16.05.2022, në Podujevë, në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në një subjekt afarist, me qëllim që vetit apo ndonjë personi tjetër të i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, respektivisht të një numri të konsiderueshëm të të dëmtuarve, duke ua vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelave bankare të cilët kanë bërë blerje në këtë dyqan, ku këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave–kriptovalutave, të cilat më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para/euro,  çka me këtë ka përfituar një shumë në vlerë prej mbi 5,000.00 €”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Gazeta Sinjali ka raportuar dje ekskluzivisht se Krimet Kibernetike në kuadër të Drejtorisë së Policisë së Kosovës, kanë zhvilluar një aksion në regjionin e Prishtinës, cak i të cilit ishin falsifikuesit dhe keqpërdoruesit e kartelave bankare.

Gjatë aksionit, në stacionin policor janë shoqëruar dy persona, ndërsa Selimi është dërguar në mbajtje.

Sipas Policisë i dyshuari, në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, ka vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si menaxher, dhe pastaj këto të dhëna i njëjti i kishte përdorur duke bërë blerje të kriptovalutave në një platformë online të kriptovalutave.

Gjithashtu, në këtë rast janë identifikuar disa të dëmtuar në banka të ndryshme të Kosovës dhe dëmi i shkaktuar është disa mijëra euro.

I dyshuari ka fotografuar kartelat bankare në momentin kur klientët ia kanë dhënë kartelën arkatares për të bërë pagesë, në disa raste i dyshuari e ka marrë kartelën e bankës nga arkatarja dhe në mënyrë të fshehtë me telefonin e tij i ka fotografuar kartelat në të dy anët me qëllim që këto të dhëna pastaj ti përdor për përfitime materiale në mënyrë të kundërligjshme. Në këtë rast janë identifikuar disa të dëmtuar në disa banka të ndryshme të Kosovës, dhe dëmi i shkaktuar është disa mijëra euro”, thuhej në njoftim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin