image Reagon Ballazhi pas anulimit të zgjedhjeve në Han të Elezit: Suma do të humb dëmshëm

Reagon Ballazhi pas anulimit të zgjedhjeve në Han të Elezit: Suma do të humb dëmshëm

news image

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të anulojë zgjedhjet për kryetar të komunës në Hanin e Elezit, pasi në këtë komunë dyshohet se ka pasur shitblerje të votave.

Pas këtij vendimi Gazeta Sinjali ka kontaktuar me kandidatin për kryetar të Hanit të Elezit, nga PDK, Mehmet Ballazhi, i cili ka thënë se nesër do të bëjnë ankesë për vendimin e PZAP-së.

Mirëpo, Ballazhi nuk ka treguar se ku do ta drejtojnë këtë ankesë, si dhe ka shtuar se sqarime do të jepen edhe nesër.

“Unë jam i njoftuar me vendimin dhe tash do të bëjmë një ankesë nesër më tutje dhe do të shohim si do të jetë vendimi. Nesër do të kemi një sqarim”, tha ai për Sinjalin.

I pyetur se nëse në procesin e rivotimit ai dhe partia do të arrijnë rezultatin e njëjtë, Ballazhi ka thënë se Rufki Suma do të humb dëmshëm. Madje për të është “mashtrim” fakti që kryetari aktual i Hanit të Elezit i ka uruar atij fitoren në njërën anë, kurse në anën tjetër ka parashtruar ankesë të tillë.

“Unë jam shumë i bindur që jo vetëm interesant që kemi pasur, por ne do të kemi një rezultat edhe më të thellë. Edhe ajo që është edhe më interesant zotëri Suma do të humb dëmshëm sepse ka vepruar në mënyrë mashtruese, në mënyrë jo njerëzore sepse ai ma ka uruar fitoren dhe nuk e di pse i ka shkuar ndër mend të bëjë një gjë të tillë me këto mashtrime të tilla. Por, megjithatë është vendim i tij”, shtoi ai për Sinjalin.

Gazeta Sinjali më herët ka kontaktuar edhe me  Rufki Sumën i cili ka thënë se vendimi i PZAP-së ka qenë i drejtë. Si dhe ka pohuar se ka uruar kandidatin e PDK-së për fitore.

“Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka qenë i drejtë, kjo sepse ne kemi bërë një ankesë dhe kemi bërë njoftim që kandidati i PDK-së i ka vizituar të gjitha vendvotimet e këtyre zgjedhjeve. Informatë të cilën e pohon edhe vetë kandidati i PDK-së kur e pranon për Kallxo që i ka vizituar të gjitha vendvotimet, të gjitha qendrat e votimit në Han të Elezit. Kjo është në kundërshtim me çdo rregull zgjedhore me ligjet në fuqi që janë në Kosovë”, ka thënë ai për Sinjalin.

Tutje ai ka shtuar se nuk do të bëjë fushatë zgjedhore as për zgjedhjet që do mbahen më 14 nëntor.

“Ne mendojmë  se nuk ka nevojë të bëhet fushatë, vetëm të shkohet të votohet. Qytetarët të votojnë pa presion, pa ndikim dhe ta japin fjalën e vet. Kushdo që fiton duhet t’i zgjatet dora”, shtoi ai për Sinjalin.

/Gazeta Sinjali/