image Haxhiu: Institutit zviceran iu dhanë prova të dëmtuara për rastin “Dehari” - Sinjali

Haxhiu: Institutit zviceran iu dhanë prova të dëmtuara për rastin “Dehari”

news image

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Lidhur me këtë raport, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se Prokuroria Speciale e Kosovës po tenton ta manipulojë opinionin publik.

“Raporti i parë i Institutit kishte përmendur përfshirjen e një personi të tretë, ndërkaq në raportin e dytë, të gjitha provat që i ka marrë ky Institut nga prokuroria, thuhet se janë dëmtuar provat përmes mbështjelljes së tyre. Instituti thotë se ka qenë shumë e vështirë që t’u gjenden ADN-ja apo t’u bëhet provat këtyre analizave”, ka thënë Haxhiu në KTV.

Madje ajo ka shprehur zhgënjim, pasi që sipas saj Prokuroria ka dalë me komunikatë për media për raportin e Institutit zviceran ende pa iu dorëzuar familjes Dehari.

Tutje ministrja thotë se “Pika e fundit në konkluzion thotë se në fakt prova kryesore për të ardhur deri te e vërteta është trupi dhe se nuk është përdorur fare. Si ka mundësi që nuk janë bërë ekzaminimet dhe analizat e duhura trupit. Pika e fundit e konkluzioneve thuhet se është e vetmja mundësi për të ardhur deri te e vërteta dhe nuk është përdorur aq sa duhet si provë”.

Haxhiu ka shtuar se nëse Prokuroria Speciale e konsideron veten të paaftë që ta hetojë këtë rast, ajo duhet të kërkojë ndihmë nga hetues të specializuar.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin