image Në Spitalin e Vushtrrisë po trajtohen 7 pacientë me COVID-19, nuk ka asnjë infektolog
[wp-story id="814678"]

Shëndetësi

Në Spitalin e Vushtrrisë po trajtohen 7 pacientë me COVID-19, nuk ka asnjë infektolog

news image

Me vendim të Ministrisës së Shëndetësisë, nga dje edhe Spitali i Përgjithshëm i Vushtrrisë do të shërbejë për trajtimin e pacientëve pozitiv me COVID-19.

Në Spitalin e Vushtrrisë, janë 7 pacientë të infektuar me koronavirus të cilët po trajtohen, dhe të gjithë janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.

Spitali i Vushtrrisë ka 64 shtretër, ndërkohë që nuk ka infektolog dhe ka vetëm një pulmolog, e që përballet edhe me mungesë të stafit.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të këtij spitali, Mursel Pllana, tha se me të marrë vendimin nga Ministria e Shëndetësisë kanë filluar me përgatitjet e nevojshme.

“Spitali i Vushtrrisë i ka 64 shtretër, shumica e dhomave janë të pajisura me oksigjen qendror. Kështu që, momentalisht në spital i kemi 7 pacientë të shtrirë, të gjithë janë me oksigjenoterapi. Jemi duke u përgatitur edhe për masat e tjera, duke i ndërmarrë masat të cilat shpenzohen, fjala është për maskat mbrojtëse, për material shpenzues, oksigjen të gjitha këto që janë të nevojshme. Jemi duke i bërë kërkesat me kohë që mos të kemi probleme në mbarëvajtje të punës”, tha ai për KP.

Ai ka treguar se gjendja e pacientëve me COVID-19 që janë duke u trajtuar në këtë spital është stabile.

“Janë 7 pacientë, të gjithë janë me oksigjenoterapi dhe gjendja e tyre është e kënaqshme deri diku. Presim që këta pacientë shumë shpejt t’i lirojmë… Kryesisht janë mosha të shtyra dhe kanë sëmundje të tjera shoqëruese. Mosha mesatare janë mbi 65 vjet”, u shpreh ai.

Në spitalin e Vushtrrisë tashmë nuk do të ofrohen shërbimet e zakonshme mjekësorë, e për të njëjtat vushtrriasit do të duhet të shkojnë në Spitalin e Mitrovicës.

Pllana ka treguar se mungesë të stafit kanë pasur edhe para pandemisë, por që thotë se presin staf mbështetës nga Ministria e Shëndetësisë.

Për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19 në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim gjatë ditës së djeshme që spitali i Vushtrrisë të shndërrohet në spital për rastet COVID-19./ Gazeta Sinjali/