image Muzikë, mish, rrahje dhe plagosje – sa pagoi Telekomi për ndejen ku zv/drejtori mbeti i plagosur

Kosovë

Dokument/ Muzikë, mish, rrahje dhe plagosje – sa pagoi Telekomi për ndejen ku zv/drejtori mbeti i plagosur

news image

Fiks 7 mijë e 370 euro janë shpenzuar nga Telekomi i Kosovës për ndejën luksoze të fundvitit, ku zv/drejtori i departamentit të Logjistikës, Shaban Ramaj kishte mbetur i plagosur pas një rrahje fizike me zv/drejtorin tjetër të këtij departamenti, Arsim Ramadanin, raporton Gazeta Sinjali.

Ndeja që ishte organizuar dhe kishte shpenzime për t’u festuar, gati ishte kthyer në një tragjedi nga dy zv/drejtorët. Ndonëse, Telekomi i Kosovës kishte bërë përgatitjet dhe shpenzimet për një festë luksoze, dy zv/drejtorët kishin preferuar qërimin e hesapeve.

Për një festë sa më të mirë, Telekomi i Kosovës kishte angazhuar këngëtar, DJ dhe kishin dekoruar lokalin “Anex Bar” në Prishtinë. Vetëm për muzikë ishin shpenzuar 1 mijë e 450 euro.

Ndërkohë vetëm për secilin person Telekomi i Kosovës ka paguar nga 20 euro, që përfshin ushqim dhe pije. Në këtë ndejë janë llogaritur 286 zyrtarë të Telekomit të Kosovës, që buxhetit i kanë kushtuar 5 mijë e 920 euro. Në total shpenzimet e kësaj ndeje kanë shkuar në 7 mijë e 370 euro.

Gazeta Sinjali ka siguruar faturat e shpenzimeve të Telekomit të Kosovës të ndejës së 20 dhjetorit.

Gazeta Sinjali kishte raportuar edhe për shpenzimet e vitit 2018, kur Telekomi i Kosovës kishte organizuar ndejën e fundit. Përkundër se kjo ndërmarrje kishte qenë afër falimentimit, në ndejën e fundvitit të vitit 2018 ishin shpenzuar mbi 10 mijë euro.

Ndërkohë në ndejën e organizuar më 20 dhjetor të vitit 2019, kishte pasur një përleshje mes dy zv/drejtorëve të Logjistikës, Shaban Ramajt dhe Arsim Ramadanit.

E gjithë ngjarja kishte filluar me dhunë fizike mes tyre, ndërsa në dalje të objektit ishte dëgjuar një e shtënë me armë zjarri. Aty sipas Policisë së Kosovës i vet-plagosur kishte mbetur Shaban Ramaj.

Ironia e gjithë kësaj ngjarje është se Policia e Kosovës këtë rast në raportin 24-orësh e kishte cilësuar si përleshje e më pas plagosje mes të rinjve.

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për këtë rast, ku sipas burimeve arsyeja që kishte quar në këtë përleshje kishte qenë kërkesa e drejtorit ekzekutiv, Bedri Istrefit.

Sipas sinjalizuesve Istrefi, u kishte kërkuar që njëri prej tyre ta lironin postin e zv/drejtorit për shkak se nuk mund ta mbajnë të dytë të njëjtën pozitë dhe të paguhen me pagë prej 2 mijë e 500 eurove në muaj./Gazeta Sinjali/