image Zv/drejtori në Telekom që u plagos të enjten në Prishtinë, kishte qenë i arrestuar nga Policia e Kosovës

Kosovë

Siguri/ Zv/drejtori në Telekom që u plagos të enjten në Prishtinë, kishte qenë i arrestuar nga Policia e Kosovës

news image

Shaban Ramaj, zv/drejtori i departamentit të Logjistikës në Telekomin e Kosovës, që dje ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në fillim të vitit 2017.

Burime të Gazetës Sinjali, bëjnë me dije se Rama ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në Prishtinë, teksa kishte qenë nën shoqërimin e policit hetues Behar Millaku, ky i fundit i dyshuar për keqpërdorim të detyrës në rastin e njohur si ‘EGTG’.

Sipas asaj që merr vesh Gazeta Sinjali, në veturën e Shaban Ramajt ishte gjetur një revole pa leje, ndërsa ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Në momentin kur ishte arrestuar ai kishte qenë me policin hetues, Behar Millaku, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me lojërat e fatit të njohur EGTG.

Gazeta Sinjali, raportoi ekskluzivisht gjatë ditës së djeshme për ndejën festive të Telekomit të Kosovës për fundviti që ishte gati të përfundonte në tragjedi.

Aty sipas burimeve të mediumit, Shaban Ramaj dhe Arsim Ramadani, kishin filluar përplasjen fizike mes njëri-tjetrit, ndërsa më pas ishte dëgjuar një e shtënë.

I plagosur lehtë ka mbetur Shaban Ramaj, ndërsa gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë. Arsyeja e kësaj përplasje fizike kishte qenë kërkesa e drejtorit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, se njëri prej tyre duhet ta lëshojë postin e zv/drejtorit të departamentit të Logjistikës.

Përkundër kësaj Policia e Kosovës në raportin 24-orësh e ka cilësuar si plagosje mes të rinjve, ndonëse Ramaj dhe Ramadani mbajnë postin e zv/drejtorit të Logjistikës në Telekomin e Kosovës.

Telekomi i Kosovës nuk është deklaruar asnjëherë për këtë rast./Gazeta Sinjali/