image Pesë dëshmitarë të intervistuar, ende në arrati dy personat e dyshuar për plagosjen e tre të miturve në Prishtinë

Siguri

Pesë dëshmitarë të intervistuar, ende në arrati dy personat e dyshuar për plagosjen e tre të miturve në Prishtinë

news image

Mbrëmjen e djeshme disa të shtëna me armë zjarri trazuan banorët e lagjes Lakrishte në Prishtinë. Një përleshje mes disa të rinjsh rrezikoi të përfundojë tragjikisht. Tre persona mbetën të plagosur dhe tashmë janë dërguar në spital për tretman mjekësor, ndërsa Policia ka nisur kërkimet për të rënë në gjurmët e dy personave të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.

Siç njofton Policia, për rastin në fjalë deri më tani janë intervistuar pesë dëshmitarë, teksa dy të dyshuarit gjenden akoma në arrati.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale tri gëzhoja të armës.

Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, Avdyl Pacolli tha për Sinjalin se të plagosurit janë të mitur dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

“Të plagosurit janë të vitit 2006, 2006 dhe 2008, janë jashtë rrezikut për jetë. Njëri ka plagë në dorë”, u shpreh Avdyli.

Plagosjen e tre të miturve e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Sot rreth orës 19:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Lakrishte në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Bazuar në të dhënat fillestare  dyshohet se me armë zjarri janë plagosur tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor.

Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.

/GazetaSinjali/