image Kërkesa e Bedri Istrefit dyshohet se bëri që zëvendësdrejtorët të rrihen gjatë ndejës së Telekomit për fundvit

Kosovë

Detaje/ Kërkesa e Bedri Istrefit dyshohet se bëri që zëvendësdrejtorët të rrihen gjatë ndejës së Telekomit për fundvit

news image

Një kërkesë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefit, dyshohet se ka bërë që pak para mesnatës, dy zëvendësdrejtorët e Departamentit të Logjistikës në këtë ndërmarrje të rrihen mes vete në ndejën e organizuar për fundvit, raporton Gazeta Sinjali.

Nga përleshja fizike që dyshohet se ka ndodhur mes Arsim Ramadanit dhe Shaban Ramajt, ky i fundit ka mbetur i plagosur me armën të cilën e ka shkrepur vetë.

Burime të Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, ka kërkuar që njëri nga zyrtarët ta lëshojë pozitën e zëvendësdrejtorit, për shkak se nuk mund ta mbajnë të dy gradën e njëjtë dhe të vazhdojnë të paguhen të dy me nga 2 mijë e 250 euro.

Dyshohet se kërkesa e Istrefit i ka acaruar marrëdhëniet ndërmjet Ramadanit dhe Ramajt, dhe siç mëson Gazeta Sinjali, sherri mes tyre ka nisur dje gjatë ditës, për të përfunduar me rrahje dhe plagosje në mbrëmje, gjatë ndejës së fundvitit të organizuar nga Telekomi.

Për ta ndalur përleshjen fizike ndërmjet dy zëvendësdrejtorëve të Logjistikës, kanë ndërhyrë rreth 20 zyrtarë të Telekomit, ndërsa sherri përfundoi te dera e lokalit ku ishin mbledhur, pasi u dërgjua shkrepja e armës.

Pas plagës së marrë, Shaban Ramaj ka marrë tretman mjekësor në QKUK dhe ka pranuar para Policisë se është vetë-plagosur.

Për këtë rast, Policia ka njoftuar se janë intervistuar të dyshuar dhe dëshmitarë, ndërkaq me vendim të prokurorit, një person është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Gazeta Sinjali/