image Policia tenton ta ndalë, motoçiklisti i mësyn me motor, polici i përgjigjet me armë - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

14882

Të shëruar

12188

Të vdekur

607

Policia tenton ta ndalë, motoçiklisti i mësyn me motor, polici i përgjigjet me armë

news image

Sot, rreth orës 17:00 në Gjakovë një sinjalizues i Gazetës Sinjali ka qenë dëshmitar okular i një ngjarjeje sa të kundërligjshme, aq edhe të rrezikshme për Policinë dhe qytetarët e përfshirë në këtë incident.

Sipas sinjalizuesit, përderisa ai ishte duke vrojtuar Policinë e Trafikut Rajonal në një pikë kontrolli në periferi të qytetit të Gjakovës, aty kanë kaluar dy motoçiklistë, të cilët përkundër tentativës së Policisë për t’i ndaluar, ata vetëm rritën shpejtësinë dhe nuk respektuan shenjën për ndalje.

Të gjendur në këtë situatë dhe pa pasur mundësi tjetër, njësia e trafikut kishte kërkuar ndihmë nga një patrullë policore e cila ishte në qytet dhe pas një kohe të shkurtër, ishte vënë një “kurth” për motoçiklistët që nuk zbatonin urdhërat e Policisë.

Mirëpo, siç raportohet, edhe në këtë rast gjërat nuk kishin shkuar siç duhet dhe gati sa aventura e motoçiklistëve nuk ishte shndërruar në fatkeqësi.

Gazeta Sinjali mëson se përderisa Policia që ishte vënë në pritje të motoçiklistëve tentoi t’i ndalojë ata, motoçiklisti i mësyn me motor, ndërsa polici iu përgjigj duke shkrepur me armën e tij. Ky veprim i policit raportohet se ka shkuar huq, por jo edhe pa rrezikuar persona tjerë që ishin perreth vendit të ngjarjes.

Pavarësisht të shtënave nga polici, sinjalizuesi konfirmon se të dy motorristët kanë arritur t’i ikin policisë dhe akoma nuk janë kapur.

Gazeta Sinjali ka tentuar të kontaktojë edhe me Policinë e Gjakovës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin