Kontrata e Divock Origit me Milanin është depozituar zyrtarisht në Lega Calcio, kështu që kuqezinjtë do të njoftojnë nënshkrimin e tij së shpejti.
Faqja zyrtare e Lega Calcio konfirmon se kontrata e Origit është regjistruar nga Milani.
Reprezentuesi belg kishte kryer testet mjekësore dy javë më parë, por njoftimi u shty për shkak të çështjeve burokratike.
Ish-sulmuesi i Liverpoolit i është bashkuar kampionit të Serie A në transfertë të lirë pasi i skadoi kontrata me Reds. Ai tani është gati të nisë një kapitull të ri të karrierës së tij në Stadio Meazza.
Origi nuk u bashkua me shokët e tij të rinj në ditën e parë të parasezonit të hënën, por do të mbërrijë në Milanello për herë të parë sot.
Megjithatë, ai do të stërvitet veçmas nga pjesa tjetër e grupit për të paktën 10 ditë për t’u rikuperuar nga një dëmtim muskulor që pësoi në pjesën e dytë të sezonit të kaluar me Liverpool.
27-vjeçari kaloi shtatë vjet me Reds dhe shënoi 47 gola në 171 paraqitje në Anfield.