Milani ka regjistruar një fitore tejet të rëndësishme në luftën për Scudetton.
Kuqezinjtë kanë mposhtur skuadrën e Hellas Veronës si mysafir me rezultat 3-1.
Rosonerët u ndodhën fillimisht në disavantazh kur mesfushori Davide Faraoni i dha epërsinë vendasve në minutën e 25-të.
Në fund të pjesës së parë, Kuqezinjtë reaguan duke e barazuar rezultatin pas një aksioni nga Rafael Leao i cili gjeti Tonalin duke përfunduar topin në rrjetë, për të shkuar në pushim me rezultatin 1-1.
Në pjesën e dytë, rosonerët reaguan përsëri shpejt, duke shënuar përsëri me anë të Sandro Tonalit pas një kundërsulmi të suksesshëm, me Leaon që sërish asistoi italianin në minutën e 50-të.
Goli i ‘nokautit’ erdhi nga mbrojtësi Alessandro Florenzi i cili shënoi një gol mjaft të bukur në minutën e 87-të, pas një kombinimi me Messias, duke i dhënë mysafirëve një fitore shumë të vlefshme.
Milani me këtë fitore rimerr pozitën e parë në tabelë, ku tani ndodhet në kuotën e 80 pikëve, dy më shumë se Interi, teksa kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund.
Kuqezinjtë janë afër një triumfi të Scudettos për herë të parë që nga sezoni 2010-11.