Milan shfaq interesim për një sulmuesi të ri që po shkëlqen në Kampionatin Evropian, shkruan Sinjali Sport.
Pas vështirësive që po hasin për të transferuar në Milano Olivier Giroud dhe Luka Jovic, drejtuesit e klubit kuqezi po marrin në konsideratë një emër të ri.
Bëhet fjalë për sulmuesin çek Patrick Schick, i cili duket se ka “fituar zemrat” e drejtuesve dhe trajnerit të Milanit me golat e shënuar në Evropian dhe Maldini ka lëvizur duke kërkuar informacion zyrtar për vlerën e kartonit të tij.
Schick vlerësohet minimalisht 40 milionë euro nga Bayer Leverkusen, që ka pronësinë e kartonit të tij, megjithatë te Milani janë gati të investojnë një shifër të tillë, për të rikthyer sulmuesin çek në kampionatin italian, pas eksperiencave me Sampdorian dhe Romën.
Aktualisht Milani nuk i ka paratë për të paguar kartonin e Schick, por Maldini e Massara synojnë të shesin portugezin Leao për një shifër prej 25 milionë eurosh, por edhe emra si Hauge e Pobega, që mund të sjellin rreth 30 milionë euro të dy bashkë në arkat e klubit.
Nga ana tjetër sulmuesi çek jo vetëm që do të ishte një alternativë mjaft e mirë për të zëvendësuar Ibrahimovic, por do të mund të luante edhe në krah të gjigantit suedez, pasi ka treguar se mund të bëjë edhe sulmuesin e dytë, apo atë anësor. /Gazeta Sinjali Sporti/