Kampioni evropian me skuadrën e Chelsea, Hakim Ziyech, lidhet me një kalim të mundshëm në Serie A, ku kërkohet nga skuadra e Milan.
Mesfushori me prejardhje nga Maroku nuk ka kaluar kohën më të mirë të mundshme me ‘Blutë’, ndonëse arriti triumfin në Ligën e Kampionëve. Në aspektin individual, ai ishte më shumë në stol, duke humbur balotazhin me emra si Mason Mount, apo edhe në krah me Havertz apo Pulisic.
Raportime nga Italia bëjnë të ditur se Milan janë vënë me të gjitha forcat pas kartonit të Ziyech, i cili atje shihet si zëvendësues ideal për Hakan Calhanoglu – ky i fundit që u largua në drejtim të Inter.
Lojtari thuhet se është jashtëzakonisht i kënaqur me interesimin e ‘Rossoneri’, duke lënë të kuptohet se tashmë gjithçka rreth fatit të transferimit mbetet në duart e ‘Bluve’ të Londrës.
Problemi mbetet puna e shumës që duhet paguar. Milan synon ta ketë lojtarin në formë huazimi, me obligim për blerje, por kjo nuk i pëlqen drejtuesve të Chelsea, të cilët duan transferim permanent.
Ziyech i bashkohej skuadrës së Chelsea në vitin 2020, nga Ajax, dhe arriti të shënonte gjashtë gola dhe të shtonte katër asistime, në 39 paraqitje me Chelsea, në të gjitha kompeticionet. /GazetaSinjaliSporti/