Lionel Messi edhe një herë dëshmoi pse konsiderohet një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Kapiteni i Argjentinës shkëlqeu në triumfin 3-0 ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse të Grupit J të Kupës së Botës 2026, ku realizoi tre gola dhe vendosi disa arritje historike.
Ylli 38-vjeçar ishte vendimtar për suksesin e kombëtares së tij, ndërsa me het-trikun e shënuar e çoi në 16 numrin total të golave në Kampionatet Botërore. Kështu, ai barazoi rekordin e ish-sulmuesit gjerman Miroslav Klose si golashënuesi më i mirë në historinë e këtij kompeticioni.
Ndeshja ndaj Algjerisë solli edhe një tjetër moment të paharrueshëm, pasi Messi u bë lojtari i parë që merr pjesë në gjashtë edicione radhazi të Kupës së Botës. Ai ka qenë pjesë e turneve të zhvilluara në vitet 2006, 2010, 2014, 2018, 2022 dhe tani edhe në 2026.
Argjentinasi vendosi gjithashtu një rekord të ri si futbollisti më në moshë që realizon një het-trik në Botëror. Në moshën 38 vjeç e 357 ditë, ai kaloi rekordin e Cristiano Ronaldos, i cili kishte arritur të njëjtën gjë në vitin 2018 kundër Spanjës kur ishte 33 vjeç e 130 ditë.
Tre golat kundër Algjerisë e futën Messin edhe në një listë të veçantë të historisë së Argjentinës, duke u bërë vetëm lojtari i katërt i këtij vendi që realizon het-trik në një Kampionat Botëror, pas Guillermo Stábile, Gabriel Batistuta dhe Gonzalo Higuaín.
Mbrëmja u bë edhe më speciale pasi kjo ishte paraqitja e 200-të e Messit me fanellën e Argjentinës, një tjetër shifër që dëshmon vazhdimësinë dhe rëndësinë e tij për ekipin kombëtar.
Edhe në moshën 38-vjeçare, Lionel Messi vazhdon të thyejë rekorde dhe të shtojë suksese në një karrierë të jashtëzakonshme, duke forcuar edhe më shumë vendin e tij në historinë e futbollit botëror.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!