image Argjentina pranë marrëveshjes me Scalonin për zgjatje kontrate deri në 2031

Futboll

Argjentina pranë marrëveshjes me Scalonin për zgjatje kontrate deri në 2031

news image

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, është shumë pranë vazhdimit të aventurës së tij në stolin e kampionëve të botës. Sipas ESPN, Federata Argjentinase e Futbollit dhe tekniku 48-vjeçar kanë arritur një marrëveshje verbale për rinovimin e kontratës deri në vitin 2031.

Burimet bëjnë të ditur se palët janë dakordësuar për vazhdimin e bashkëpunimit para nisjes së Kupës së Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara, megjithatë firma zyrtare ende nuk është hedhur. Scaloni ka preferuar që çdo procedurë formale të përfundojë vetëm pasi të mbyllet turneu, pasi e gjithë vëmendja e tij është e përqendruar te mbrojtja e titullit botëror.

Nëse marrëveshja finalizohet, Scaloni do të qëndrojë në krye të Argjentinës edhe për Kupën e Botës 2030, e cila do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok, me ndeshjet inaugurale që do të luhen në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai.

Ndërkohë, sfida e së premtes ndaj Kepit të Gjelbër në fazën e 1/16 së finales do të jetë një tjetër moment historik për trajnerin, pasi do të regjistrojë ndeshjen e tij të 100-të në drejtimin e kombëtares.

Që kur mori drejtimin e ekipit në vitin 2018, pas largimit të Jorge Sampaolit, Scaloni e ka rikthyer Argjentinën në majat e futbollit botëror. Gjatë kësaj periudhe ai ka fituar katër trofe të rëndësishëm: Kupën e Amerikës 2021, Kupën e Botës 2022 në Katar, Finalissima 2022 dhe Kupën e Amerikës 2024.

Edhe në Botërorin 2026, Argjentina po vazhdon të tregojë formë të lartë, duke e mbyllur fazën e grupeve në vendin e parë pas fitoreve ndaj Algjerisë, Austrisë dhe Jordanisë.

Nëse mposht Kepin e Gjelbër, skuadra e Scalonit do të sigurojë një vend në çerekfinale, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Australisë dhe Egjiptit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/